Klubi italian i Cagliarit po vazhdon punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri dhe një nga emrat më të përfolur për repartin e sulmit është ai i Armando Brojës.
Sipas raportimeve nga Italia, sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë është shndërruar në objektivin kryesor të klubit sard për përforcimin e repartit ofensiv. Futbollisti 24-vjeçar, i cili është pjesë e Burnleyt, konsiderohet si profili ideal për të rritur cilësinë dhe forcën e sulmit të kuqebluve.
Broja, i cili ka dalë nga akademia e Chelseat dhe në të kaluarën ka qenë në radarët e Milanit dhe Lazios, vjen pas një sezoni në Premier League ku regjistroi një gol dhe një asist në 24 paraqitje.
Rënia e Burnleyt në Championship mund të lehtësojë largimin e sulmuesit shqiptar gjatë kësaj vere, ndërsa Cagliari po monitoron nga afër situatën për të tentuar transferimin e tij.
Ndërkohë, drejtuesit e klubit italian mbeten aktivë edhe në fronte të tjera të merkatos. Cagliari ka mbyllur marrëveshjen për talentin e Everton U18, Demi Akarakiri. Mesfushori i lindur në vitin 2007, i krahasuar shpesh me Paul Pogbanë për karakteristikat e tij në lojë, pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore gjatë ditës së enjte para zyrtarizimit të transferimit.
Komente








