SPANJË - Barcelona mori një tjetër fitore të rëndësishme në La Liga këtë të shtunë, duke triumfuar 4-1 në ‘Camp Nou’ kundër Villarrealit për raundin e 26-të, duke mbetur në krye të klasifikimit.

Skuadra katalanase e nisi ndeshjen me ritëm të lartë dhe gjeti golin e avantazhit në minutën e 28-të, kur talenti i ri Lamine Yamal realizoi me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të portës pas asistimit të Fermín Lopez. I njëjti lojtar shënoi sërish në minutën e 37-të me një aksion individual spektakolar, duke dyfishuar rezultatin dhe duke mbyllur pjesën e parë me shifrat 2-0.

Villarreali reagoi menjëherë pas pushimit dhe në minutën e 49-të Pape Gueye përfitoi nga një rrëmujë në zonë për të ngushtuar rezultatin në 2-1.

Megjithatë, vendasit menaxhuan mirë lojën, ndërsa hyrjet nga stoli të Marcus Rashford dhe Ronald Araujo i dhanë më shumë siguri skuadrës. Në minutën e 69-të, protagonisti absolut i mbrëmjes, Yamal, kompletoi tripletën personale pas një pasimi perfekt që e nxori të vetëm përballë portierit për rezultatin 3-1. Lamine Yamal bëhet lojtari i parë që shënon 25 gola gjatë një sezoni në pesë ligat më të mira të Evropës para se të mbushë 19 vjeç, gjatë shekullit të XXI-të.

Golin e fundit dhe ‘vulën’ e fitores e vendosi në kohën shtesë Robert Lewandowski, i cili shënoi në minutën 90+1 pas asistimit të Jules Kounde.

Me këtë sukses Barcelona me 64 pikë mbetet në krye të La Ligas, katër më shumë se Real Madrid që ka 60 pikë dhe do të përballet të hënën me Getafen, në një duel të rëndësishëm për garën e titullit kampion në Spanjë.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 28 Shkurt, 17:02

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit?