MADRID - Të enjten në stadiumin 'Metropolitano' Atletico Madridi i dha një leksion Barcelonës duke e mposhtur me rezultatin 4-0 në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Mbretit. Djemtë e Diego Simeones e dominuan takimin duke i shënuar të katërt golat në pjesën e parë. Nga ana tjetër Barcelona e mbylli sfidën me një lojtar më pak, pas daljes me karton të kuq të Eric Garcias pesë minuta para fërshëllimës finale.
NDESHJA - Atletico Madridi e nisi ndeshjen mirë dhe kaloi në epërsi pas gjashtë minutash. Një top i kthyer pas nga mbrojtësi Eric Garcia nuk u kontrollua mirë nga portieri Joan Garcia dhe sfera përfundoi në rrjetë. Në minutën e 14-të duhej Antoine Griezmann për golin e dytë të 'Los Colchoneros', ndërsa Ademola Lookman shënoi golin e tretë pas asistit të Alvarez.
Makthi i Barçës nuk kishte përfunduar, pasi në shtesën e dytë të pjesës së parë Julian Alvarez shënoi edhe golin e katërt për vendasit, në një mbrëmje që nuk do harrohet.
Fraksioni i dytë solli golin e nderit për katalanasit, por realizimi i Cubarsit u anulua për pozicion jashtë loje. Kështu, në sfidën e kthimit më 3 mars në 'Camp Nou' Atletico Madridi udhëton me katër gola avantazh dhe duket me një këmbë në finalen e Kupës së Mbretit.
Në përballjen tjetër, Real Sociedadi fitoi 0-1 në fushën e Athletic Bilbaos. Sfida e kthimit luhet më 4 mars në 'San Sebastian'.
Komente










