SPANJË - Barcelona vuajti të enjten në Santander, por në fund fitoi 0-2 kundër Racing në fazën e 1/8-ave të Kupës së Mbretit duke kaluar kështu në çerekfinale. Ndeshja në stadiumin "El Sardinero" nuk ishte e lehtë për katalanasit që e mbyllën pa gola pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë futja në lojë e Fermin ndryshoi gjithçka për të besuarit e Hansi Flick, me mesfushorin që dhuroi një pasim fantastik nga mesi i fushës për kapitenin Ferran Torres, me këtë të fundit që shmangu edhe portierin Ezkieta dhe kaloi Barçën në epërsi.

Më pas kontrolli i lojës kaloi te Racing që shënoi dy herë, por golat u anuluan për pozicion jashtë loje. Në minutat e fundit të ndeshjes portieri i Barçës, Joan Garcia, bëri një pritje shpëtimtare duke mbajtur portën e paprekur.

Në shtesën e pestë, gjatë një kundërsulmi, Raphinha asistoi për Lamine Yamal dhe talenti 18-vjeçar nuk gaboi për të shënuar golin e dytë dhe atë që "vulosi" kalimin e Barçës në fazën çerekfinale.

Katalanasit kanë një rival më pak në këtë turne, pasi të mërkurën Albacete fitoi 3-2 kundër Real Madridit dhe eliminoi "Galaktikët" nga Kupa e Mbretit. Në fazën çerekfinale kaloi edhe Valencia që fitoi 0-2 në fushën e Burgos CF.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Janar, 18:35

    Arratisja e Ndocit, mendoni se Burgjet kanë standardet e duhura të sigurisë?