Për herë të dytë në histori dhe pas 40 vitesh nga suksesi i fundit, Como ia ka dalë që të marrë një biletë për në fazën gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Djemtë e Cesc Fabregas ia dolën që në çerkfinale të eliminonin Napolin të martën, në shtëpinë e këtyre të fundit pas penalltive, pasi koha e rregullt u mbyll 1-1.
Sfida në 'Diego Armando Maradona' ishte me raste, pasi dy skuadrat luajnë lojë sulmuese. Ishte Como që kaloi në epërsi pas 39 minutave lojë me Baturinën, teksa ky i fundit u tregua i saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit. Me nisjen e pjesës së dytë Vergara barazoi sfidën, ndërsa koha e rregullt u mbyll 1-1.
Pas këtij momenti skuadrat iu drejtuan 11 metërshave, me Comon që fitoi 6-7. Për Napolin gabuan Lukaku dhe Lobotka, ndërsa Perrone gaboi për miqtë. Në fund ishte gardiani Butez i miqve që ndali penalltinë e Lobotkas për të ndezur festën te Como.
Kjo është hera e dytë që Como shkon në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Për herë të fundit një sukses i tillë ishte arritur në sezonin 1985-86, pra 40 vite më parë. Tanimë Como në raundin e radhës luan kundër Interit, me duelet që do jenë me sistemin vajtje-ardhje. Ndeshja e parë zhvillohet më 4 mars në Como, ndërsa ajo e kthimit më 22 prill në 'San Siro' të Milanos.
Sot në orën 21:00 në 'Dall'Ara' luhet Bologna - Lazio për të përmbyllur fazën çerekfinale të Kupës së Italisë. Fituesi i këtij çifti do përballet më tej kundër Atalantës, me këta të fundit që eliminuan Juventusin.
Komente









