Serie A e futbollit në Itali mbylli mbrëmjen e të hënës raundin e 29-të. Në stadiumin 'Giovanni Zini' vendasit e Cremoneses u mposhtën 1-4 nga Fiorentina. Miqtë nga Firenze dominuan duelin e mbijetesës dhe për momentin kanë lënë zonën e ftohtë të renditjes.
Ndeshja nisi me kujdesin e dy skuadrave për të mos pësuar, por Fiore u tregua më e saktë duke gjetur dy herë rrugën e rrjetës brenda pjesës së parë. Djemtë e Paolo Vanolit gjetën epërsinë me autor Fabiano Parisin në minutën e 25-të, ndërsa Roberto Piccoli dyfishoi shifrat në minutën e 32-të.
Edhe fraksioni i dytë ishte me të njëjtën 'melodi', pasi Dodo shënoi golin e tretë për miqtë. Më pas Cremonese shkurtoi me David Okereke në minutën e 57-të, por Albert Gudmundsson shënoi golin e katërt në minutën e 70-të për të 'vulosur' shifrat 1-4.
Me 28 pikë Fiorentina ngjitet në vendin e 16-të, ndërsa Cremonese merr humbjen e katërt radhazi dhe me 24 pikë mbetet në vendin e 18-të.
Komente










