Juventusi u imponua në shtëpi dhe mposhti 2-0 Udinesen në raundin e 1/8-ave të Kupës së Italisë, teksa në çerekfinale do përballet me fituesin e çiftit Atalanta - Genoa.

Në "Allianz Stadium", Juvja ishte më kërkuese dhe gjeti golin pas 23 minutave lojë. Një krosim nga e djathta e sulmit bëri që David të 'detyronte' Palmën të shënonte në portën e tij.

Mbrojtësi 17-vjeçari ishte i pafat edhe në minutën e 66-të, kur shkeli në këmbë një nga sulmuesit e Juves, me VAR dhe arbitrin që akorduan penallti. Nga pika e 11 metërshit nuk gaboi Locatelli që qetësoi bardhezinjtë me golin e dytë.

Në minutën e 84-t në fushë u fut Edon Zhegrova, që në dhjetë minuta lojë (bashkë me shtesat) dhuroi spektakël sa herë që prekte topin. "Zonja e Vjetër" shënoi në sekondat e fundit me Lois Opendan, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Kështu, Juvja fitoi 2-0 kundër Udineses dhe pret emrin për përballjen çerekfinale të Kupës. Tetë ndeshja radhazi pa humbje për Juven, që duket se po rikthehet në formë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:57
Gabim i rëndë nga VAR, Juventusit iu anulua goli i rregullt kundër Udineses

Tifozët e Juventusit kanë shpërthyer në rrjetet sociale pas anulimit të golit të Jonathan David në minutën e 34-të të sfidës së Kupës së Italisë kundër Udineses.

Asistenti i gjyqtarit Francesco Fourneau sinjalizoi pozicion jashtë loje, vendim që u verifikua nga VAR-i dhe teknologjia SAOT (pozicion jashtë loje gjysmë-automatik). Por kuadri i shfaqur në transmetim ka ngritur shumë pikëpyetje, pasi në pamje shihet Bertola në qendër të zonës së penalltisë, jo Palma, lojtari që tifozët e Juves pretendojnë se mbante në linjë Davidin.

Goli i David u anulua për pozicion jashtë loje, duke ndezur polemika të mëdha rreth kuadrit të përdorur në TV.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?