Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e 13-të. Como shënoi fitoren e gjashtë sezonale duke mposhtur 2-0 Sassuolon. Në stadiumin 'Giuseppe Sinigaglia' vendasit e kthyen në festë, duke shënuar që pas 14 minutash me Douvikas.
Pjesën e parë shkëlqeu edhe Nicolas Paz, fantazisti i Comos që ishte pranë një supergoli me roveshatë, por u ndal nga shqiptari Aro Muric, me këtë të fundit që u vlerësua me notën 8.0 si ndër më të mirët e sfidës.
Paçka formës së mirë, Muric nuk e ndali dot veteranin Alberto Moreno, i cili shfrytëzoi pasimin e 'ëmbël' të Paz dhe në minutën e 53-të vulosi shifrat në 2-0. Me 24 pikë pas javës së 13-të, Como mban për momentin vendin e gjashtë në renditje, me rivalët që kanë nga një ndeshje më pak.
Serie A vijon sot me katër ndeshjet e radhës. Në 15:00 luhet Genoa - Verona, po ashtu edhe Parma - Udinese. Në orën 18:00 radha e Juventusit, që pret Cagliarin në Torino. Mbrëmja kulmon me duelin Milan - Lazio në 'San Siro'. Tare sfidon ish-ekipin ku u bë i famshëm si drejtor sportiv.
Komente








