La Liga e futbollit në Spanjë është në raundin e 21-të. Të shtunën në stadiumin 'la Ceramica' vendasit e Villarrealit u mposhtën 0-2 nga Real Madridi. 'Galaktikët' kanë pesë fitore radhazi në kampionat dhe me 51 pikë ngjiten në krye të renditjes, në pritje të ndeshjes së Barcelonës.
Sfida në pjesën e parë nuk prodhoi gola, paçka se Reali ngacmoi me Arda Guler dhe shpërthimet e Mbappe. Do ishte pikërisht sulmuesi francez që në nisjen e fraksionit të dytë do zhbllokonte sfidën duke përfituar nga një top i mbetur në zonë.
Kaq iu desh Realit të Arbeloas që të fitonte besimin dhe shtesa e ndeshjes solli golin e qetësisë. Sërish Mbappe fitoi vetë një penallti dhe nga 11 metra nuk gaboi me 'panenka' për golin e dytë. Francezi në 87 ndeshje me "Galaktikët" ka kontribuar me 78 gola dhe 10 asiste në të gjitha kompeticionit.
Tanimë Real Madridi është me sytë nga Barcelona, pasi sot në "Camp Nou" katalanasit luajnë kundër Real Oviedos në orën 16:15 dhe me një tripikësh do riktheheshin në krye të renditjes.
Komente








