Elita e futbollit në Itali, Serie A është në raundin e 14-të. Këtë të shtunë Milani ia doli të fitonte 3-0 kundër Empolit nën mjegullën e "San Siro-s" dhe pas dy barazimeve radhazi të gjente pikët e plota.
Të besuarit e Fonsecas kaluan në epërsi pas 19 minutave lojë me spanjollin Alvaro Morata. Në fundin e pjesës së parë, pasimi final i Pulisic u shfrytëzua nga Reijnders që gjeti golin e qetësisë.
Në pjesën e dytë sërish holandezi Reijnders do përfitonte nga asisti i Fofana dhe do vuloste shifrat për 3-0, duke bërë që Milani me 22 pikë të mbetet në vendin e shtatë.
Ndërkohë Empoli me 16 pikë qëndron në pozitën e 10-të, teksa Ardian Ismajli luajti 90 minuta me shiritin e kapitenit dhe ishte ndër më të vlerësuarit për të tijtë, paçka humbjes.