Liverpooli u befasua të dielën në shtëpi duke u ndalur në barazimin 1-1 nga Tottenhami, sfidë e cila ishte përmbyllëse për raundin e 30-të në Premier Leaguen angleze të futbollit.
Minutat e para folën për të kuqtë e Arne Slot, me hungarezin Dominik Szoboszlai që kaloi Liverpoolin në epërsi pas 18 minutash lojë me një supergol nga goditja e dënimit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Liverpoolit, paçka se Spurs kishin disa raste të pastra për shënim.
Fraksioni i dytë i ndeshjes prodhoi një lojë të bukur, por vetëm në minutën e fundit, atë të 90-të, Tottenhami ia doli të barazonte me Richarlison. Kolo Muani përfitoi nga hezitimi i prapavijës vendase dhe pasoi bukur për brazilianin, i cili me të djathtë mposhti bashkëkombasin Alisson.
Me këtë barazim Liverpooli ngjitet në vendin e pestë të renditjes me 49 pikë, dy më pak se Aston Villa që për momentin gjendet në zonën Champions. Nga ana tjetër Tottenhami me 30 pikë e sheh veten në vendin e 16-të, vetëm një pikë mbi zonën e ftohtë. Spurs kanë 12 ndeshje radhazi pa fitore në kampionat, ndërsa tri pikëshi i fundit është siguruar më 28 dhjetor 2025, në fitoren 0-1 kundër Crystal Palace. Pika e djeshme kundër Liverpoolit ishte e para e Igor Tudor si trajneri i Tottenhamit.
Komente


