GOLEM- Një punëtor ka humbur jetën pasditen e kësaj të marte në Golem, pasi ka rënë nga një lartësi duke punuar në një ndërtesë në rikonstruksion.

Burime zyrtare bëjnë me dije se ka ndërruar jetë 40-vjeçari me inicialet D.H, i cili është rrëzuar aksidentalisht teksa ka qenë duke punuar në lartësi. 40-vjeçari u dërgua në spital, por fatkeqësisht nuk mund të mbijetonte për shkak të plagëve të shumta të marra në trup.

Një rast i tillë sjellë edhe një herë në vëmendje një nga problematikat më kryesore siç është pasiguria në punë. Referuar shifrave zyrtare nga Inspektoriati i Shtetëror i Punës (ISHP) nga janari-gusht 2019 janë regjistruar 99 raste aksidentesh në punë, nga të cilat 25 kanë qenë me pasojë vdekjen dhe për këto ngjarje askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. 

Vetëm pak kohë më parë, dy punëtorë humbën jetën, e ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e rrëzimit të skelës në një pallat në Tiranë. Në burg ndodhet vetëm inxhinieri i kompanisë “Skela Syla”, Ilir Bendo, e ndërsa administratori i 'Skela Syla', Petrit Syla është lënë i lirë.