“Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që më përcakton raportimin para Kuvendit apo Komisionit në fjalë”, thotë Golemi në reagimin e saj.
Sipas Golemit, edhe në bazë të Kushtetutës janë drejtuesit e institucioneve shtetërore ata të cilët duhet të informojnë në Kuvend, dhe jo nepunësit e një niveli të caktuar. Ndërsa më tej shton se, i ka paraqitur argumentet e saj “nëpërmjet korrespondencës drejtuar këtij Komisioni, Nr.2479/1Prot, datë 03.09.2014 (bashkëlidhur), pavarësisht se u anashkaluan në seancën e sotme”.
Ndërkaq në reagimin e saj, Golemi thotë se ka përmbushur detyrën e saj si Inspektore e Përgjithshme e BSH, duke raportuar në Këshillin Mbikëqyrës për të gjitha kontrollet e ushtruara dhe problematikat e hasura.
PDF/Shkresat e Komisionit të Ekonomisë dërguar inspektores Golemi në datë 1 shtator dhe 3 shtator
PDF/Përgjigja e inspektores Golemi
DEKLARATË PËR SHTYP NGA INSPEKTORI I PËRGJITHSHËM I BANKËS SË SHQIPËRISË, ZJ. ELIVAR GOLEMI
Pas zhvillimeve të ditës së sotme në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, e ndjej të nevojshme të sqaroj publikun lidhur me gjoja “indiferencën nga ana ime” në respekt të Kuvendit, duke marrë shkas nga mosparaqitja në Komision.
Duke kërkuar me dashamirësi mirëkuptimin e medias dhe të publikut, sqaroj se:
1. Në asnjë rast të vetëm, unë nuk refuzoj të përgjigjem ndaj përmbushjes së detyrës së ngarkuar me ligj si Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, në të dy shkresat që më ka dërguar, përkatësisht në datat 01.09.2014 dhe 03.09.2014, më kërkon të paraqitem për të dhënë dëshmi përpara këtij Komisioni. Është përdorur pikërisht kjo frazë: për të dhënë dëshmi. Theksoj edhe një herë publikisht, se unë nuk mund të dëshmoj përpara këtij Komisioni, për aq kohë sa ligji nuk parashikon një gjë të tillë.
Fakti që unë emërohem nga Kuvendi, nuk do të thotë apriori, që duhet të raportoj në Kuvend apo ndonjë komision të tij. Ligji për Bankën e Shqipërisë e përcakton qartë që unë raportoj vetëm para Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë (neni 54 pika 3 gërma b). Nuk ka asnjë dispozitë ligjore që më përcakton raportimin para Kuvendit apo Komisionit në fjalë.
2. Sot, Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, mohoi publikisht përmbajtjen e dy shkresave të nënshkruara nga vetë ai, ku në mënyrë shumë të qartë më kërkohet sa më poshtë, citoj: “të paraqiteni para këtij Komisioni për të dhënë dëshminë tuaj (nënkupto Inspektori i Përgjithshëm) lidhur me përmbushjen e detyrës në krye të Departamentit të Kontrollit të Bankës së Shqipërisë”. Në interes të informimit të publikut, po bashkëlidh kësaj deklarate, të dy shkresat, ku çdokush mund të verifikojë lehtësisht çfarë më është kërkuar.
3. Si çështje tjetër, do të doja të parashtroja argumentet e mia ligjore lidhur me referencën kushtetuese të bërë sot në Komision. Në nenin 80/3 të Kushtetutës thuhet, citoj: “Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve parlamentare, japin shpjegime dhe informojnë për çështje të ndryshme për sa e lejon ligji”. Pra jo nga cdo nëpunës i një niveli të caktuar, por vetëm nga drejtuesi. Gjithashtu, Kushtetuta në Nenin 161, pika 2, përcakton shumë qartë drejtimin e Bankës së Shqipërisë nga Këshilli Mbikëqyrës, i cili kryesohet nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Unë nuk e shkel Kushtetutën. Argumentat e mia janë paraqitur nëpërmjet korrespondencës drejtuar këtij Komisioni, Nr.2479/1Prot, datë 03.09.2014 (bashkëlidhur), pavarësisht se u anashkaluan në seancën e sotme.
Përsa më sipër, në përgjegjësinë time të plotë, garantoj se kam përmbushur me korrektësi, me përgjegjshmëri maksimale dhe me profesionalizëm të gjitha detyrat e
përcaktuara në Ligjin e Bankës së Shqipërisë dhe në aktet nënligjore të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Të gjitha kontrollet e kryera dhe problematikat e hasura, janë raportuar nga Inspektori i Përgjithshëm në mënyrë të rregullt pranë Këshillit Mbikëqyrës. Për më tepër, të gjitha këto raportime për periudhën 2010-2014, janë vënë në dispozicion të Kuvendit, nëpërmjet korrespondencës zyrtare të Bankës së Shqipërisë, dhe janë dorëzuar pranë Komisionit për Ekonominë dhe Financat - 537 faqe raportime të Inspektorit të Përgjithshëm. Konkluzionet dhe vlerësimet pozitive për punën e kryer nga Departamenti i Kontrollit në Bankën e Shqipërisë, departament të cilin unë drejtoj, janë pasqyruar në raportet e disa institucioneve të specializuara ndërkombëtare.
E fundit, por jo nga rëndësia, deklaroj vetëdijen time të palëkundur dhe besnikerinë time ndaj kufijve të detyrës që më imponon neni 54 i ligjit për Bankën e Shqipërisë. Unë i shërbej punës me të njëjtën devotshmëri dhe integritet, siç i shërbej parimeve të drejta dhe vlerave për të cilat aspirojmë ne të gjithë.
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)