Real Madrid është rikthyer të fitoret në La Liga pas barazimit me Osassunan, duke mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 Gironan. Pas shumë e shumë tentativash, ndeshja në Bernabeu u zhbllokua në fundin e pjesës së parë me një supergol të Luca Modric. Pasi stopoi me gjoks kapiteni i galaktikëve lëshoi një silur jashtë zonë që u ndal vetëm nga rrjeta. Për të vulosur fitoren mendoi Vinicius Junior.
Me këtë sukses Reali iu përgjigj fitores së Barcelonës dhe e barazoi në krye me pikë të barabarta pavarësisht se katalanasit mbajnë vendin e parë për shkak të golavarazhit. Të dy skuadrat janë në kuotën e 54 pikëve.
Në Seria A Fiorentina pësoi humbjen e 3 radhazi, teksa këtë herë u mposht 1-0 nga Verona. Mirëpo në këtë ndeshje, më shumë se rezultati, vëmendje mori dëmtimi i sulmuesit Moise Kean. Italiani fillimisht mori një goditje me gju në kokë, por pasi mori ndihmën mjekësore tentoi të vijonte lojën. Kjo solli që vetëm pak sekonda më pas ai të humbte vetëdijen në fushë kur nuk kishte asnjë kontakt, duke shkaktuar panik në fushë dhe tribuna.
Thuhet se Kean kishte hemoragji në kokë, ndërsa mjekët teksa linte përfundimsht fushën e lojës i lidhën qafën, për të shmangur pasoja të tjera. Megjithatë lojtarët në fushë morën garanci se sulmuesi është mirë dhe vijuan lojën që përfundoi me disfatën e violëve.