Shqiptari dhe italiani tentojnë të shfrytëzojnë Natën e Vitit të Ri për të trafikuar 605 kg kanabis drejt Italisë me gomone, por kjo përpjekje u dështon në brigjet e vendit fqinj. Mjeti lundrues është pikasur nga policia shqiptare teksa lëvizte në drejtim të Italisë dhe menjëherë ka njoftuar dispozitivin detar të Guardia di Finanza të cilët kanë bërë të mundur finalizimin e një tjetër operacioni ndërkombëtar antidrogë në bashkëpunim dhe koordinim, të dytin në dy ditët e fundit, duke sekuestruar në total në 48 orë 2.3 ton kanabis.

Mbrëmjen e djeshme Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza në patrullim kanë informuar njësitë e Guardia di Finanza në Pulia dhe menjëherë është ngritur avioni i Frontex duke patrulluar zonën detare ku nga radaret e QNOD ishte gjurmuar një mjet lundrues i dyshimtë. 

Si rezultat është bërë e mundur interceptimi i një gomoneje rreth 6 metra më një motor fuoribordo i ngarkuar me lëndë narkotike që lëvizte në ujra ndërkombëtare. Pas ndjekjes, në afërsi të Leces, GdF ka bërë bllokimin e gomones me dy skafistë në bord, konkretisht një shtetas shqiptar me inicialet A.Gj. 55 vjeç dhe një italian me inicialet A.D. 38 vjeç, si dhe është sekuestruar mjeti lundrues dhe ngarkesa prej 605,7 kg e dyshuar marijuanë. Të dhënat e tjera janë pjesë e sekretit hetimor pasi vijon shkëmbimi intesiv i informacioneve duke përfshirë edhe forcat policore malazeze. 

Kjo është gomonia e dytë me kanabis që kapet pranë brigjeve italiane. Dy ditë më parë u bllokua me një gomone më 1.7 ton kanabis, ndërsa në prangat e policisë ranë tre persona nga Vlora.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com