Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me protestën në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike.

Sipas Ministrit organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte.

"Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacënueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë. Institucionet nuk janë të partive: ato u përkasin qytetarëve dhe sulmet ndaj tyre cenojnë rëndë rendin dhe interesin publik! Vetgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Axhenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues!

Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane. 

Në vëmendje të veçantë mbrojtja e objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve: Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare."- thuhet në reagimin e Blendit. 


Lajmi kryesor:

Protesta/ Qeveria: Distancohuni nga dhuna! PS bën përgjegjës Berishën: Sulmet nga miltantët e tij! Balla: Balliu organizoi zjarrin tek Ministria e Arsimit