Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka reaguar për aktet e dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike e private, duke theksuar se demokracia, institucionet dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë nuk mund të cënohen nga flakët dhe përplasjet politike.

Në reagimin e saj, Ismaili nënvizon se institucionet nuk janë thjesht godina, por përfaqësojnë ligjet, rregullat dhe politikat që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Sipas saj, asnjë akt dhune nuk mund të zhbëjë investimet në arsim, mbështetjen për të rinjtë dhe programet që synojnë zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Një vëmendje të veçantë në reagimin e saj, Erjona Ismaili i kushton rinisë, duke theksuar se të rinjtë nuk duhet të përdoren si instrument për interesa politike, por duhet të kenë mundësi reale për arsimim, punësim dhe zhvillim profesional.

Reagimi i plotë:

Shqipëria sot nuk digjet dot se i vutë flakën mureve, as se thyet xhama, as se shkulët semaforët.

Se, në fakt, demokracia, liria, zbatimi i ligjit nuk garantohen nga mure e godina.

Institucionet janë ligjet, rregullat dhe fryma që ato përcjellin, në përputhje me standardet europiane, të cilat nuk mund të nxihen as nga tymi i pishave dekorative, as nga tryezat e punës të bastisura prej mendjes suaj, që armikun më të madh ka të bukurën.

Sot u dogjën biznese, institucione, pemë prej atyre që rininë e kanë parë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa mish për top.

Sot, kur shkollat janë të investuara e të rikonstruktuara, apo të ndërtuara të reja, sot kur të rinjtë paguhen më mirë, sot që u garantohen sigurimet shoqërore, sot që pensionet janë rritur, sot që financohen projekte e ide, që mbështeten doktoratura e studime shkencore, sot që ofrohet kredia studentore njësoj si në çdo vend europian, sot që ofrohen shtëpi me kredi të butë, shtëpi me interes 0%, sot që garantohet siguria dhe rendi, sot që kemi turizëm gjithëvjetor, sot që mbështetet fermeri, sot që mbështeten bizneset e vogla dhe të mesme, sot që ka programe për studentët ekselentë, praktika pune.

Këto nuk fshihen, nuk harrohen e nuk zhbëhen as me flakë e as me dhunë. Nuk zhbëhen as me godina të shkatërruara.

Shteti qëndron i fortë nga politikat, nga nismat, nga projektet e programet që shkojnë bashkë me vizionin.

Pedagogë që kërcënojnë studentët për të dalë në shesh, duke harruar se dega e PD-së është tjetërkund, larg auditorëve.

Nëse huliganët thyejnë, djegin e shkatërrojnë, e konsideroni se është faji i policisë që nuk u garanton siguri, ama nëse policia ndërhyn, e konsideroni dhunë ndaj protestuesve.

Hip se të vrava, zbrit se të vrava!

Sot është e njëjta dorë që nuk e duronte dot qetësinë e protestës qytetare, adresimin e çështjeve përmes dialogut dhe përjashtimin që protestuesit paqësorë u bënin atyre. Natën, në fshehtësi, organizuan atë që dinë të bëjnë më mirë, atë që mezi e mbajtën deri sot; djegien, shkatërrimin dhe prishjen e imazhit të Shqipërisë. Një padurim për pushtetin që e dinë se nuk do ta kenë, mesazhin për të cilin e morën edhe nga shpërfillja që protokollet e partnerëve tanë ndërkombëtarë i bënë kryetarit të tyre.

Në mes të gjithë këtij organizimi e pas tij është e njëjta dorë që, si kufomë politike, e vdekur dhe e pakallur ende, kërkon të ushqejë me gjak etjen e tij për pushtetin e munguar.

Krejt e kuptueshme përse, dëshpërimisht, pas çdo kapitulli që mbyllet me BE-në, ju doni të hapni një kapitull të ri dhune në Shqipëri.

Por jo mbi kurrizin e të rinjve dhe jo mbi kurrizin e Shqipërisë europiane! 


Lajmi kryesor:

Protesta/ Qeveria: Distancohuni nga dhuna! PS bën përgjegjës Berishën: Sulmet nga miltantët e tij! Balla: Balliu organizoi zjarrin tek Ministria e Arsimit