Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u takua tw mërkurën me drejtuesen e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Bankën Botërore, Xiaoqing Yu, dhe përfaqësues të tjerë të institucionit, ku në fokus ishin investimet në turizëm dhe trashëgimi kulturore.

Ky takim vjen pas një serie diskutimesh teknike mes Ministrisë së Turizmit, Bankës Botërore, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministrisë së Financave, me synim sigurimin e një instrumenti financiar për mbështetjen e investimeve strategjike në sektor.

Gjatë bisedimeve, Gonxhja bëri me dije se janë diskutuar hapat drejt një marrëveshjeje të re financimi, projektet prioritare si dhe nisja e fazës së studimit të fizibilitetit.

Sipas tij, kjo fazë do të mbështetet nga një grant prej 3 milionë dollarësh, i cili do të përdoret për analizë, përgatitje, propozime dhe përzgjedhje të investimeve më të qëndrueshme dhe me impakt afatgjatë.

Ministri theksoi se bashkëpunimi synon të rrisë cilësinë e ndërhyrjeve në sektor dhe të mbështesë zhvillimin e turizmit dhe promovimin e identitetit kulturor dhe natyror të vendit.

“Gjatë takimit diskutuam mbi hapat konkretë drejt marrëveshjes së re të financimit, projektet prioritare dhe nisja e fazës “feasibility study”, falë një granti lehtësues prej 3 milionë $ (GFPP) për analizën, përgatitjen, propozimet dhe përzgjedhjen e investimeve më të qëndrueshme dhe me impakt afatgjatë. Ky bashkëpunim synon të forcojë modelet e financimit dhe të rrisë cilësinë e ndërhyrjeve në sektor, në funksion të zhvillimit dhe promovimit të identitetit kulturor e natyror të vendit dhe jetëzimit të strategjisë sonë të turizmit në një plan të koordinuar edhe në kuadrin e një agjende rajonale”, u shpreh ministri Blendi Gonxhja.

Në takim u theksua edhe rëndësia e përfshirjes së zonave me ekspozim të lartë ndaj flukseve, si Bashkia Vorë, si dhe zonave me specifika të biodiversitetit si Pogradeci, ku evidentohen problematika me menaxhimin, mjedisin dhe infrastrukturën.

U.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 25 Mars, 11:49

    PS propozon ligj për zhvillimin e referendumeve, a jeni dakord?