BERLIN - "Nuk e mora shumë seriozisht kur ish-presidenti amerikan, Ronald Regan më tha 'mister Gorbachev, tear down this wall!', 'zoti Gorbaçov, rrëzojeni këtë mur!'. Mendova që ishte një aktor dhe se veprimi i tij ishte pjesë e një mizanskene", deklaroi dje ish-lideri i fundit sovjetik, Mihail Gorbaçov në Berlin duke folur në pikën e kontrollit "Charlie", i pyetur sesi reagoi ndaj apelit të Reganit për qytetin e ndarë më dysh nga Lufta e Ftohtë.
I plakur, por i veshur me xhinse, njeriu që ndryshoi rrjedhën e historisë, shpjegoi se "ende nuk ishin pjekur kushtet për një gjë të tillë, që u realizua më vonë".
"Gorbi", siç e thërrasin shkurtimisht, trajtoi më pas temën që ka më për zemër.
"Nga historia duhen nxjerrë mësime. Përsa kohë që Gjermania dhe Rusia kuptohen me njëra-tjetrën, gjërat shkojnë shumë mirë mes dy popujve tanë", thekson Gorbaçovi.
"Duhet të jemi të kujdesshëm që gjërat të vazhdojnë në këtë mënyrë dhe duhet të mos i humbasim asnjëherë këto momente", shton ai.
"Rrëzojeni këtë mur!" ishte fjalia sfidë e presidentit amerikan, Ronald Reagan për liderin e Bashkimit Sovjetik Mihail Gorbaçov për të rrëzuar Murin e Berlinit, gjatë një fjalimi në Portën e Brandenburgut, pranë Murit të Berlinit, më 12 qershor 1987, në përkujtim të 750-vjetorit të themelimit të Berlinit.
Dy milionë persona pritet të marrin pjesë në festimet e nesërme në kryeqytetin gjerman për rrëzimin e Murit të Berlinit./ATSH/











