Pas tri ditëve relativisht të qeta, protesta e sotme ka rikthyer kaosin në Tiranë. Protestuesit iu kthyen sulmeve me gurë, kapsollë e fishekzjarrë, të cilave policia u është përgjigjur menjëherë me ujë e gaz lotsjellës duke e zbrazur brenda disa minutash bulevardin “Dëshmorët e Kombit.”

Bulevardi është i veshur nga një tymnajë, ndërsa protestuesit janë shpërndarë në rrugët e qytetit. Edhe efektivët po marshojnë, por situata po pasohet vetëm nga incidentet e zakonshme të koshave të djegur.

Ndërkohë, te kryeministria janë pozicionuar edhe forcat RENEA.

Skenari i protestuesve i gjeti të gatshëm efektivët që prej përplasjeve të para te Ministria e Arsimit që ndërhynë menjëherë me autobotët që i ndoqën duke hedhur ujë e gaz lotsjellës duke i zhvendosur brenda pak minutash drejt qendrës. Nga aty, u shpërndanë në drejtime të ndryshme dhe shkuan te kryeministria.

Nga ana e policisë, ka pasur edhe përdorim të spray-t me piper dhe fishekëve të gomës.

Lajm në përditësim…

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:15
‘Furnizimi’ i radhës, protestuesit shkulin e thyejnë pllakat e trotuareve

Disa protestues po përpiqen të shkulin disa pllaka nga trotuaret dhe t’i thyejnë, shenjë kjo e përgatitjes së tyre për sulmet e radhës ndaj policisë.

Ora 16:15
Një grupprotestuesish grumbullohen te Sheshi Skënderbej, policia hedh gaz lotsjellës

1792851292_protestuessheshiskenderbej.jpg

Një grup protestuesish janë grumbulluar te Sheshi Skënderbej.

Policia ka hedhur gaz lotsjellës për shpërndarjen e tyre.

Ora 16:12
Pamje me Dron/ Protestuesit e dhunshëm në rrugët e Tiranës, Policia i shpërndan me ujë pranë selisë së PD (VIDEO)

 

Report Tv ka siguruar pamje me dron nga përplasjet mes protestuesve të dhunshëm dhe efektivëve të Policisë, në Unazën e Vogël të Tiranës, pranë selisë së Partisë Demokratike.

Nga pamjet duket se protestuesit janë në tërheqje, ndërkohë që efektivët e Policisë po përpiqen që t’i shpërndajnë përmes hedhjes së ujit nga një autobot.

Ora 16:06
Protestuesit marshim në rrugët e Tiranës, grupin te PD e udhëheq Këlliçi

1792850808_belindkellici.jpg

Protestuesit të ndarë në grupe janë duke marshuar në rrugë të ndryshme të Tiranës.

Grupi që po lëviz pranë selisë blu shihet se udhëhiqet nga Belind Këlliçi.

Ora 16:01
Protestuesit akte vandale mes kryeqytetit, përmbysin dhe u vënë flakën koshave të mbeturinave pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës (VIDEO)

Protestuesit kanë vijuar sot me aktet vandale në Tiranë, ku sëfundmi u kanë vënë flakën koshave të mbeturinave në të dy krahët e ‘Urës së Bllokut’, pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Nga pamjet duket se koshat e mbeturinave janë shkrumbuar nga flakët, ndërsa disa prej tyre janë përmbysur në rrugë.

Ora 15:48
Protesta e dhunshme në Tiranë, Policia nis shoqërimin e disa protestuesve (VIDEO)

 

Efektivët e Policisë kanë nisur shoqërimin e disa personave, që kanë qenë të pranishëm në protestën e dhunshme që po zhvillohet para Kryeministrisë.

Nga pamjet, duken disa efektivë të Policisë që shoqërojnë një person në hyrje të Kryesisë së Kuvendit.

Ora 15:48
Protestuesit marshim policia i ndjek nga pas në hyrje të Bllokut! Edhe një autobot uji në dispozicion (VIDEO)

Protestuesit janë duke marshuar në hyrje të Bllokut.

Policia po i ndjek nga pas, ndërsa në dispozicion është vendosur edhe një autobot uji për ndonjë incident të mundshëm.

Ora 15:45
Kaosi nga protestat, forcat RENEA mbërrijnë te kryeministria (VIDEO)

Forcat RENEA janë pozicionuar te kryeministria, ndërsa në këtë moment, protestuesit janë shpërndarë për shkak të gazit lotsjellës e ujit.

Ora 15:44
Protestuesit nisin 'ritualin', djegin koshat e mbeturinave në 'Myslym Shyri' (VIDEO)

Protestuesit kanë djegur koshat e mbeturinave në mes të rrugës 'Myslym Shyri'.

 

Ora 15:43
Protestuesit ‘strehohen’ te Parku ‘Rinia’, autobotet e ujit vendosen në dy krahët e urës! Policia gjuan me fishekë gome (VIDEO)

Protestuesit janë ‘strehuar’ te Parku ‘Rinia’ për t’iu shmangur ujit e gazit lotsjellës të autoboteve të policisë. Ndërkohë, këta të fundit, janë pozicionuar në të dy anët e urës. Edhe brenda parkut ka efektivë, ku po hidhen tymuese ndërsa nga policia ka edhe përgjigje me fishekë gome.

Ora 15:39
Bulevardi bosh, protestuesit largohen pas hedhjes së ujit (VIDEO)

Protestuesit janë shpërndarë pas hedhjes së ujit te Bulevardi.

Aktualisht në këtë zonë ndodhen vetëm forca të policisë.

Ora 15:37
Protesta në bulevard, policia urdhër: Gjuani me fishekë gome (VIDEO)

Policia ka dhënë urdhër për përdorimin e fishekëve të gomës për të shpërndarë protestuesit në bulevard. Ndërkohë vijon hedhja e spray-t me piper dhe ujit.

Ora 15:34
Protesta e dhunshme në Tiranë, deputeti demokrat Gjin Gjoni përplaset fizikisht me policët (VIDEO)

 

Deputeti i Partisë Demokratike, ish-gjyqtari Gjin Gjoni, është përplasur fizikisht me efektivët e Policisë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Gjin Gjoni duket se ka pasur probleme me sytë gjatë protestës së sotme, për shkak të gazit lotsjellës të hedhur nga Policia dhe ky dyshohet të ketë qenë shkaku i përplasjeve.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv, Gjin Gjoni duket teksa fërkon dhe i hedh ujë syve, ndërkohë që një grup personash të tjerë qëndrojnë rrotull tij për t’i ardhur në ndihmë.

Ora 15:32
Protestuesit i dalin para autobotit, ndërsa policia hedh ujë me presion për shpërndarjen e tyre te Bulevardi (VIDEO)

 

Dy protestues i kanë dalë para autoboti te Bulevardi ndërsa policia hedh ujë me presion për shpërndarjen e tyre.

Para se policia të hidhte ujë, protestuesit sulmuan me gurë.

Ora 15:24
Lëndohen nga spray me piper, protestuesit përplasen verbalisht me efektivët (VIDEO)

Disa protestues janë prekur nga spray me piper i hedhur nga policia. Ata janë përplasur verbalisht me policinë, ndërsa janë përpjekur t’i rezistojnë shoqërimit.

Ora 15:20
Protestuesi falet te Bulevardi, teksa policia hedh ujë për shpërndarjen e protestuesve! Refuzon të largohet (VIDEO)

Një protestues është filmuar duke u falur në mes të 'Bulevardit Dëshmorët e Kombit', teksa policia hedh ujë për shpërndarjen e protestuesve.

Një efektiv ka shkuar që ta largoj që aty për sigurinë e tij, por protestuesi ka refuzuar dhe ka vijuar të falet.

Ora 15:15
Protestues të maskuar ‘breshëri’ gurësh, flakadanë e kapsollë policisë, reagon me ujë e gaz lotsjellës (VIDEO)

Protestuesit kanë mbërritur te kryeministria ku disa prej tyre, të maskuar, kanë nisur të hedhin breshëri gurësh, flakadanë e kapsollë drejt efektivëve. Policia është kundërpërgjigjur me ujë e gaz lotsjellës.

Turma vijon me thirrjet “Dorëheqje.”

Ora 15:06
Pamjet me Dron/ Momenti kur protestuesit shpërndahen, pas hedhjes së ujit nga policia te 'rruga e Durrësit'

 

Report Tv ka sjell pamjet me dron në momentin kur protestuesit shpërndahen pas hedhjes së ujit nga policia te 'rruga e Durrësit'.

Që në nisje të protestës, protestuesit sulmuan me gur uniformat blu.

Ora 14:48
Autobotët ndjekin protestuesit nga pas, i shpërndan me ujë e gaz lotsjellës! Hidhen edhe fishekzjarrë (VIDEO)

 

Autobotët dhe efektivët janë vënë në ndjekje të protestuesve duke hedhur ujë e gaz lotsjellës vazhdimisht drejt protestuesve. Këta të fundit janë spostuar nga “Rruga e Durrësit” te sheshi “Skënderbej.”

Protestuesit kanë pasuar edhe me hedhjen e kapsollëve e fishekzjarrëve. Në këtë moment ata duket të jenë shpërndarë rreth qendrës.

Ora 14:43
Në mbështetje të protestuesve, por larg tyre! Distancohen militantët e PD, presin në hyrje të ‘Rrugës së Durrësit’ (VIDEO)

 

Militantët e PD duket se kanë zgjedhur të rrinë pak më të distancuar nga pjesa tjetër e protestuesve. Ata nuk janë vendosur te Ministria e Arsimit, por në kryqëzimin mes sheshit “Skënderbej” e “Rrugës së Durrësit.”

Ora 14:41
Pamjet me Dron/ Rruga e Durrësit si ‘arenë lufte’, protestuesit sulme me gurë e sende të forta ndaj policëve! Zjarr e tym para Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Report Tv ka siguruar pamjet me dron nga protesta që po zhvillohet në Rrugën e Durrësit, para Ministrisë së Arsimit.

Nga pamjet sheshi duket si një ‘arenë lufte’ i mbuluar nga tymi, pasi protestuesit e dhunshëm nisën sulme me gurë, fishekzjarrë e sende të forta ndaj efektivëve të Policisë, si dhe u vendosën zjarrin koshave të mbeturinave.

Efektivët e Policisë u janë kundërpërgjigjur sulmeve me ujë me presion, për të bërë të mundur shpërndarjen e protestuesve.

Ora 14:31
Befason protestuesi i famshëm me maskë, puth gazetarin dhe kamerën e Report Tv! Bën dhe ‘selfie’ (VIDEO)

Protestuesi i famshëm me maskë, tashmë i njohur për ‘gjuhën’ e tij me gjeste e jo me fjalë, ka kapur në ‘befasi’ gazetarin e Report Tv, Isa Myzyrajn.

Ndërsa ai po raportonte për protestën para Ministrisë së Arsimit, protestuesi u afrua dhe puthi mikrofonin. Më pas, puthi edhe gazetarin në kokë e më tej, edhe kamerën e Report Tv. Më pas, u pozicionua krah tij duke shkrepur një ‘selfie.’

Veprimin e pasoi edhe shoku i tij, po ashtu i maskuar.

Ora 14:28
Sulm me gurë efektivëve, policia ndërhyn me ujë me presion ndaj protestuesve (VIDEO)

Protestuesit te Ministria e Arsimit kanë nisur përplasjet me efektivët duke u hedhur gurë e kapsollë. Pas pak çastesh, policia u kundërpërgjigj duke hedhur ujë me presion, por ende s’është përdorur gaz lotsjellës.

Ora 14:26
Protestuesit nisin heqjen e pllakave të trotuarit te Rruga e Durrësit, gati për nisjen e sulmeve ndaj Ministrisë së Arsimit (VIDEO)

 

Disa protestës, të grumbulluar në tubimin që po mbahet në Rrugën e Durrësit, kanë nisur heqjen e pllakave të trotuareve, me qëllim për t’i përdorur për të sulmuar në drejtim të Ministrisë së Arsimit.

Në protestën te Ministria e Arsimit, u bashkuan edhe militantë të Partisë Demokratike dhe persona të maskuar.

Ora 14:25
Nisin incidentet e para te Ministria e Arsimit, protestuesit e maskuar djegin koshat e mbeturinave (VIDEO)

 

Militantët demokratë i janë bashkuar protestës para Ministrisë së Arsimit. Tanimë sapo kanë nisur edhe incidentet e para, ku disa protestues të maskuar kanë afruar koshat e mbeturinave para efektivëve duke u vënë flakën.

Ora 14:18
‘Rama në burg, Belinda në burg’, militantët e PD ‘harrojnë’ thirrjen, protestuesit ua kujtojnë: Berisha në burg

Në hyrje të “Rrugës së Durrësit”, teksa militantët e PD i janë drejtuar Ministrisë së Arsimit për t’iu bashkuar protestës, kanë nisur ‘përplasjet’ e para.

Militantët kanë thirrur "Rama në burg, Belinda në burg", por protestuesit s’i kanë lënë të harrojnë se ata kërkojnë të njëjtën gjë edhe për Berishën. “Berisha në burg”, ia kanë kthyer protestuesit.

Ora 14:07
Irini Qirjako u bashkohet protestuesve te Ministria e Arsimit (VIDEO)

 

Mes protestuesve të mbledhur para Ministrisë së Arsimit, gjendet edhe këngëtarja e njohur, Irini Qirjako, në mbështetje të të rinjve.

Ndërkohë, drejt protestuesve po marshojnë edhe militantët e PD, të cilët deri në këtë moment ndodheshin te kryeministria, të harruar nga flamingot e studentët.