Tre shqiptarë janë arrestuar në Itali pasi dyshohet se ishin pjesë e një bande që grabiste hotele luksoze në veri të vendit.

Sipas mediave italiane, ata u kapën pas një ndjekjeje si nëpër filma në autostradën A22, ku tentuan t’i shpëtonin policisë që i ndoqi këmba këmbës

Ngjarja ndodhi në orët e para të 2 majit por u raportua sot nga mediat italiane. Sipas të dhënave, atë mëngjes, tre të dyshuarit po lëviznin me një “Alfa Romeo Giulietta” pasi kishin kryer disa grabitje në hotelet luksoze në zonën Naz-Sciaves në Bolzano.

Karabinierët organizuan një postbllok për t’i ndaluar, por drejtuesi i mjetit nuk iu bind urdhrit të policisë dhe u përplas me makinën e policisë.

Pavarësisht përplasjes së fortë dhe rezistencës së tyre , policët italianë arritën t’i neutralizonin dhe t’i arrestonin tre skifterët. Dy karabinierë mbetën të plagosur.

Brenda automjetit të shqiptarëve u gjetën bizhuteri, para cash, pinca, kaçavida dhe rroba që dyshohet se përdoreshin gjatë grabitjeve.

Hetimet e policisë italiane treguan se grupi dyshohet të ketë kryer disa vjedhje në hotele luksoze në zonat Badia, Chienes dhe Scena.

Tre shqiptarët akuzohen për vjedhje të rëndë në bashkëpunim, rezistencë ndaj policisë, dëmtim prone dhe plagosje.

Gjykata italiane ka konfirmuar masën e arrestit me burg për të tre. Për njërin prej tyre rezultoi edhe një urdhër arresti i mëparshëm për vepra të tjera penale në Itali, ku sipas hetimeve ai kishte përdorur identitet fals për t’iu shmangur autoriteteve.