TIRANE- Në një kohë kur sezoni i dasmave ka kapur kulmin dhe dyqanet e nusërive nxjerin përfitime të mëdha financiare, disa grabitës në Tiranë kanë vendosur të thyejnë tabutë, duke grabitur një nga dyqanet e nusërisë që ndodhet në zonën e Farkës në kryeqytet.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e djeshme ku persona ende të paidentifikuar kanë arritur të marrin nga një dyqan që tregtonte por dhe jepte me qëra fustane nusesh, plot 20 copë fustane që konsideroeshin nga pronarët si më të shtrenjtit. Sipas të dhënave paraprake fustanët e grabitur varionin nga shuma 500 deri në 900 mijë lekë të vjetra. Fustanët janë grabitur në orët e mesnatës nga persona ende të paidentifikuar nga policia e Tiranës, ndërkohë që siç mësohet nga burime pranë policisë së kryeqytetit pronari quhet Ymer Picalli me profesion taksist.

 Ka qënë pikërisht ky i fundit që ka konstatuar grabitjen e dyqanit dhe më pas ka njoftuar specialistët e komisaritit nr.1 në Tiranë, të cilët kanë shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake ka rezultuar se autorët kanë përdorur një çakmak për të hapur derën e jashtme të dyqanit.Grabitësit kanë shkrirë me zjarin e çakmakut pjesën e kallçukut të çelësit të derës dhe prej andej kanë mundur të hapin portën duke hyrë brenda në dyqan. Prej andej kanë arritur të marrin 20 fustane nusesh duke u larguar me shpejtësi, për të mos u vënë re nga askush.
Mekanizmi i vjedhjes
Nga të dhënat e policisë rezulton se dyqani që tregtonte fustane nusërie ndodhet ekzaktësisht në fshatin Farkë të Vogël. Prej disa kohësh pronari i këtij dyqani Ymer Picalli së bashku me bashkëshorten e tij kishin arritur të hapnin një biznes ku tregtonin në stinën e verës fustane të ndryshme nusërie. Për veç kësaj, bashkëshortja e tij punonte si parukiere, duke rregulluar vajza të ndrsyhme për ti çuar ato sa më të bukura në altarin e martesës. Ndërkohë që burri i saj punonte edhe si taksist. Në orët e para të mëngjesit ai ka parë manikënët e vitrinës së dyqanit të zhveshur dhe menjëherë ka menduar për një grabitje të mundshme. Teksa është afruar tek dera, ai ka parë se doreza e çelësit prej kallçuku ishte shkrirë sme zjar, nga ku më pas ishte hapur pa thyerje nga hajdutët. Kaq ka mjaftuar që ai të lajmërojë policinë e Tiranës, ku një grup hetimor dhe inspektori i zonës kanë shkuar me shpejtësi. Nga të dhënat paraprake ka rezultuar se autorët kanë grabitur 20 fustane nësërie, ndërkohë që qëllimi i tyre mendohet se kanë qënë shitja e fustaneve në dyqane të ndryshme në Tiranë por dhe vetëm. Nga marja në pyetje e pronarëve të dyqanit por edhe nga informacionet operative të mbledhura për këtë ngjarje, policia ka ngritur dyshime se personat që kanë kryer grabitjen mund të jenë banorë të komunës Farkë. Për këtë janë kryer disa kontrolle fizike në disa banesa, por nga kërkimet nuk është arritur të gjenden prova materiale.
Çakmaku në vendgjarje
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar vetëm një çakmak, me të cilin mendohet se autorët kanë shkrirë çelësin e derës. Me sa duket grabitësit nga nxitimi për të marrë thuajse të gjithë fustanët, kanë haruar të vetmen provë që mund ti inkriminojë në këtë ngjarje kriminale. Nga ekspertimi i gjurmëve balistike në çakmakun e sekuestruar si provë materiale, ka rezultuar se janë evidentuar vetëm dy gjurmë papilare të cilat janë të plota për krahasim me gjurmë të tjerë. Deri në këto momente rreth kësaj grabitje të pazakonte policia e Tiranës nuk kanë arritur të identifikojnë asnjë person, ndërkohë që puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj çështje vashdon. Ky është një rast unikal i grabitjeve të dyqaneve në Tiranë, pasi në shumicën e rasteve në qëndër të vëmëndjes së hajdutëve kanë qënë vetëm dyqanet e florit, ushqimorë apo biznese ndryshme.
(sg/shqiptarja.com)