Një nga vilat në pronësi të tenorit italian Andrea Bocelli në zonën bregdetare të Forte dei Marmi, një nga destinacionet më të njohura dhe më luksoze të Italisë është grabitur. Sipas mediave italiane, hajdutët kanë marrë bizhuteri, ora luksi, çanta të markave të njohura dhe para në dorë, me një vlerë totale të përllogaritur rreth 500 mijë euro.
Në momentin e grabitjes, vila nuk ishte e banuar nga familja Bocelli, por ishte dhënë me qira për një familje amerikane që po kalonte pushimet. Sipas hetimeve të para, autorët kanë përfituar nga mungesa e tyre gjatë mbrëmjes për të hyrë në banesë dhe për të marrë vetëm sende me vlerë të lartë dhe të lehta për t'u transportuar.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur mes orës 21:00 dhe mesnatës. Mediat italiane raportojnë se sistemi i alarmit nuk ishte aktivizuar në momentin e grabitjes, ndërsa karabinierët po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar autorët dhe për të kuptuar nëse ata kishin studiuar më parë lëvizjet e banorëve të përkohshëm. Deri tani kjo mbetet një pistë hetimore dhe nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Nuk është hera e parë që një pronë e familjes Bocelli bie në shënjestër të hajdutëve. Në vitin 2018 një tjetër tentativë grabitjeje në vilën buzë detit u pengua nga rojet private të sigurisë, ndërsa në vitin 2022 një tjetër pronë e tenorit në të njëjtën zonë u vu sërish në shënjestër, edhe pse ishte e pabanuar.
Grabitja vjen në një periudhë kur zona e Versilias, në bregdetin e Toskanës, po përballet me disa raste të vjedhjeve të sendeve luksoze. Vetëm javët e fundit u raportua grabitja e një turisti irlandez, të cilit iu vodh një orë luksi Patek Philippe, ndërsa në prill tre persona u arrestuan për një grabitje me vlerë rreth 300 mijë euro.
Komente






