Autori i grabitjes me armë në një pikë këmbimi valutor në zonën e “5 Majit” mëngjesin e së enjtes, Luan Maçi, fillimisht i mohoi akuzat gjatë marrjes në pyetje nga policia pas arrestimit disa orë pas ngjarjes. 42-vjeçari pretendoi se nuk kishte lidhje me grabitjen e rreth 300 mijë lekëve. Megjithatë, hetimet e efektivëve të Komisariatit nr. 4 zbuluan prova të rëndësishme që e implikonin në ngjarje.

Në banesën e tij u gjetën rrobat që dyshohet se përdori gjatë grabitjes me armë, si dhe një brisk rroje të fshehur brenda në lavatriçes, të njëjtin që përdori për të hequr mjekrën, si një kamuflim të mundshëm për t’iu fshehur policisë.

Përballë këtyre provave, Maçi ndryshoi qëndrim dhe pranoi se ishte ai autori i grabitjes, duke treguar edhe arsyet dhe mënyrën se si e kishte planifikuar. Sipas dëshmisë, grabitja ishte menduar më herët, por ishte shtyrë për shkak të frikës pas një grabitje me armë në një bankë pranë zonës së ish-Parkut.

"Kisha planifikuar ta bëja grabitjen që më përpara, por pas grabitjes me armë në bankën te ish-Parku u frikësova dhe mendova ta shtyja planin për më vonë. Isha i detyruar sepse kam shumë borxhe dhe nënën e kam të sëmurë, në gjendje shumë të rëndë", ka dëshmuar ai. 

Burime pranë policisë bëjnë me dije se, menjëherë pas grabitjes, Maçi është larguar shumë i qetë nga vendngjarja. Fillimisht ka hyrë në këmbë në tregun e Medresesë që është në afërsi dhe më pas ka dalë në anën e pasme përmes disa rrugicave.

Gjatë arratisjes, ai ka fshehur pistoletën në një pusetë dhe më pas ka marrë taksi për t’u kthyer në banesë. Për të shmangur identifikimin, ai ka hequr edhe mjekrën dhe fillimisht u ka thënë policëve se e kishin ngatërruar person.

Gjatë kontrollit iu gjetën vetëm 15 mijë lekë të reja, ndërsa dyshohet se pjesën tjetër të parave e përdori për të shlyer disa borxhe. Megjithatë, sipas burimeve, dëshmia e tij në këtë pjesë paraqet kontradikta. Ai hyri mëngjesin e së enjtes brenda një qendre tregtare dhe nën kërcënimin e armës mori paratë dhe u largua i qetë.