KORÇË - Një javë pas vjedhjes së një sasie lekësh në Katedralen e qytetit të Korçës, policia ka arrestuar sot tre persona. Të arrestuarit janë Ronaldo Berberaj, 18 vjeç, Lorenc Berberaj, 18 vjeç dhe R.SH, 15 vjeç, banues në Korçë.
Si edhe po punohet për kapjen e shtetasve D.H., 15 vjeç dhe M.T., 14 vjeç, banues në Korçë, bazuar në nenin 134 të Kodit Penal. Më herët u liruan nga Gjykata dy nga të arrestuarit që u dyshuan si autorë, Joni Cigare dhe Genci Arifi, për mungesë provash. Për tre të lartpërmendurit do të pritet seanca për caktimin e masës se sigurisë, për të parë, nëse provat e grumbulluara nga policia, krijojnë dyshim të arsyeshëm për autorësinë e vjedhjes së objektit të kultit.
Prifti At Ilia, në një prononcim për mediat pas ngjarjes tha se kjo katedrale po vidhet për herë të tretë dhe se vala e grabitjeve po vazhdon. Autorët e grabitjes u shtirën si besimtarë dhe kanë hyrë në kishë, ndërsa pasi janë larguar njerëzit e tjerë, ata kanë grabitur arkën e të varfërve.