FIER - Gjykata e Fierit ka lënë në burg 3 autorët e dyshuar për grabitje me dhunë të një argjendarie në lagjen “Apolonia” të Fierit. Gjykata dha masën e sigurisë “burg pa afat” për Niku Dolva, Morin Rrokaj, dhe Naim Dyrmishin.

Ngjarja u shënua më 28 prill të këtij viti në argjendarinë, në pronësi të Maksim Gjergjit, i cili pasi u përlesh me autorët e grabitjes, u qëllua në kokë me tytën e armës, duke e lënë atë të plagosur. Autorët kanë marrë më pas një sasi floriri dhe parash, e më pas janë larguar me shpejtësi.

Gjatë seancës, autorët e dyshuar nuk e kanë pranuar akuzën e ngritur ndaj tyre. Babai i njërit prej të arrestuarve, thotë se djali i tij, Naim Dyrmishi, ka qenë në punë në momentin e ngjarjes.

Të arrestuarit akuzohen për vjedhje me dhunë dhe armëmbajtje pa leje. 

Nën operacionin e koduar “Unaza” tri ditë më parë, policia sekuestroi një pistoletë, 7 fishekë, dy automjete që përdoreshin nga autorët, dorashka, maska, ora dore dhe 700 mijë lekë të vjetra.  Blutë e Fierit thanë se 3 të arrestuarit dyshohet se janë autorë edhe të një tjetër vjedhjeje me dhunë në rrethin e Fierit.

grabitja argjendari

(Foto:Të akuzuarit si grabitës duke hyrë në gjykatë: Naim Dyrmishi, Morin Rrokaj, Niku Dolva)

(es/sg/shqiptarja.com)