Dy persona, ende të paidentifikuar, grabitën të shtunën argjendari ‘Roy’ që ndodhet në Kamëz. Report Tv ka siguruar pamjet e marra nga kamerat e brendshme ku shihet sesi grabitësit thyejnë me çekiç e kallash xhamat e vitrinës për të marrë bizhuteritë.

Dëmi përllogaritet 7 mijë euro mall i vjedhur. Vetëm 1 minutë u është dashur 2 personave për të grabitur e më pas për tu larguar me motor. Policia ka arritur t’i gjurmojë deri në afërsi të Zall Herrit, përmes pamjeve të kamerave të sigurisë në zonë.

Në asnjë moment nuk kanë hequr skafandrat nga koka dhe kjo e ka bërë, të paktën deri në këtë fazë, të vështirë identifikimin e tyre.

Në pyetje është marrë edhe punonjësja e argjendarisë, e cila u tha hetuesve se nuk është përballur me grabitësit në mënyrë direkte, pasi në momentin e hyrjes së tyre të armatosur, ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.