Grabitja e një banke të nivelit të dytë në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, ka sjellë dhe reagimin e Komiteti Shqiptar të Helsinkit. KSHH thekson se kjo grabitje vjen në një kohë kur ende nuk është zbardhur grabitja në aeroportin e Rinasit. 
 
KSHH thekson me shqetësim se krimi ka ardhur në rritje, veçanërisht metodat e sofistikuara të tij, duke goditur befasisht.  
 
"Shtetasit kërkojnë jo vetëm transparencë por dhe përgjegjshmëri. Lufta kundër kriminalitetit dhe parandalimit të tij është detyrë e të gjithëve. KShH u bën thirrje në radhë të parë organeve që me ligj janë ngarkuar me përgjegjësi për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit të reflektojnë dhe të nxjerrin shkaqet e kësaj gjendjeje dhe përgjegjësitë individuale", thuhet në reagimin e KSHH.
 
Deklarata e plotë e KSHH
"Kur ende nuk është zbuluar vjedhja në Aeroportin e Rinasit, kur vazhdojnë të jepen të dhëna kontradiktore lidhur me përgjegjësinë e këtij apo atij institucioni, media elektronike dhe ajo e shkruar, njoftojnë një vjedhje tjetër mjaft të rëndë, të organizuar dhe të ekzekutuar nga persona që paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore.
 
Në mes të ish-Bllokut, u vodhën 21 milionë lekë. Policia, sipas medias, ka deklaruar se nuk funksiononte sistemi i alarmit. Në një rast të tillë, kush duhet të mbajë përgjegjësi? Pas kryerjes së krimit, dyshime dhe variante mund dhe duhet të ngrihen, por kryesorja është çfarë është bërë, cilat kanë qënë masat konkrete për të parandaluar një krim të tillë, aq më tepër në një objekt që kërkon vëmëndje dhe ruajtje të veçantë. Thuhet se dy persona kanë punuar me mjete të rënda për çarjen e murit. Ka të dhëna se muri i bankës ka qënë tërësisht i amortizuar dhe i kalbur. Kush e ka përgjegjësinë për këtë situate?
 
KShH me keqardhje konstaton se kur krimi ndodh merren disa masa parandaluese dhe më pas ngjarja kalon në harresë. Për KShH, shteti mban përgjegjësi nëse autoritetet përkatëse që varen prej tij nuk zbatojnë me rigorozitet ligjin.
 
KShH është i ndërgjegjegjshëm se lufta kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar nuk është vetëm detyrë e organeve të specializuara. Megjithatë, për vetë funksionet dhe detyrat që këto organe kryejnë, janë në vijë të parë të këtij fronti dhe si pasojë përgjegjësia e tyre është më e madhe.
 
KShH, duke iu referuar disa krimeve të rënda që janë kryer këto kohët e fundit, arrin në përfundimin se sidomos krimi i organizuar përdor metoda të sofistikuara, godet në kushte dhe rrethana të caktuara, madje të befasishme. Pikërisht për këtë arsye, Komiteti Shqiptar i Helsinkit rekomandon që forca e goditjes, e zbulimit të autorëve të krimit, e hetimit dhe gjykimit të çështjeve të tilla duhet të jenë në lartësinë e tyre.
 
Shtetasit kërkojnë jo vetëm transparencë por dhe përgjegjshmëri. Lufta kundër kriminalitetit dhe parandalimit të tij është detyrë e të gjithëve. KShH u bën thirrje në radhë të parë organeve që me ligj janë ngarkuar me përgjegjësi për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit të reflektojnë dhe të nxjerrin shkaqet e kësaj gjendjeje dhe përgjegjësitë individuale.
 
Për KShH, në këtë vështrim nuk duhet të lejohet asnjë lloj euforie. Ka raste kur ajo krijohet kur jepen të dhëna statistikore për luftën dhe goditjen e kriminalitetit në periudha të shkurtra".