TIRANE- Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka zbardhur gjithë skenarin dhe menyrën e organizimit të aksioneve nga grabitësi serial i bankave, Viktor Gushi, mbi të cilin rendojnë edhe disa vrasje.

Sipas hetuesve ai preferonte që grabitjet t'i kryente vetëm të premten, sepse kjo ishte dita e tij me fat dhe pas kryerjes së tyre ai lutej në kishë me orë të tëra duke i thënë Zotit: "Të lutem mos më lejo të bëj ndonjë gjë të keqe". Ai u ka thënë prokurorëve dhe hetuesve se që të mos arrinte të kapej, grabitjen e realizonte vetëm brenda 45 sekondave, në mënyrë që të mos kishte kohë as sigurina e bankës dhe as policia të merrte masa.

Viktimat ai i kishte shkaktuar pikërisht sepse kishte kaluar kjo kohë. Mbi të tashmë rendojnë 15 vepra penale, mes te cilave vjedhje me pasojë vdekjen 2 herë, vjedhje me armë tetë herë, vjedhje e mbetur në tentativë në pesë raste, plagosje e rëndë me dashje në tre raste dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake.

Në total ai kishte grabitur 30 milion lekë të vjetra. Në profilin psikologjik ai përshkuhet si tërësisht i përgjegjshëm dhe një grabitës i vetmuar. Pasi kështu mendonte se do të kishte sukses dhe nuk do të arrestohej pasi askush nuk kishte për ta spiunuar. Ai ka vrarë një argjendar dhe vrasja e fundit që tronditi Tiranën ishte ajo e një arkëtareje banke, Leonora Kaloçi që refuzoi t'i jepte shumën e parave në momentin e grabitjes. Ai është autor i vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj.

 Një ditë përpara se të arrestohej Viktor Gushi po planifikonte një tjetër vjedhje me armë në zonën e "21 Dhjetorit", për shkak se te vjedhja e tij e fundit në bankën "NBG" nuk arriti të merrte asnjë shumë parash. Viktor Gushi për pesë vite me radhë ka grabitur banka dhe ka vrarë punonjësit e këtyre bankave pa mundur do të kapej nga policia. Në vjedhjen e tij të fundit Gushi u kap nga një kamer e vendosur në rrugë nga një biznes privat.
(hh/shqiptarja.com)