Nga 8 anëtarët e kësaj bande që dyshohet se ka bërë vjedhjen e qendrës tregtare "Tirana East Gate" dhe një sërë grabitjesh po kaq spetakolare, katër janë të arrestuar (3 të vënë në pranga këtë të martë dhe të mërkurë si dhe Ilir Kupa i arrestuar nga policia në fundjanarin e këtij viti); 3 persona janë shpallur në kërkim (Fatmir Pjetri, Dritan Kola dhe Saimir Kala) e ndërsa një tjetër, Miljan Elezi 35 vjeç, nga Elbasani është vrarë në Dibër të Madhe, pas një tjetër tentativë grabitjeje të një argjendarie.
Nje nga të arrestuarit si pjesë e bandës së grabitësve, Dritan Kola, është vëllai i Marian Kolës, i vrarë nga policia greke gjatë arratisë nga burgu helen në fundit e korrikut të vitit të kaluar, ngjarje nga e cila mundi të shpëtonte Ilir Kupa.
Zbulimi dhe arrestimi...2 anëtarë të grupit kriminal në hetim prej dy muajsh
Agustin Sula nga Durrësi, dhe Hajdar Xaka nga Kruja, janë dy personat që mbaheshin nën vëzhgimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda prej më shumë se dy muajsh. Ata rezultojnë të jenë autorët e një grabitjeje në Dibër dhe survejimi për ta ka marrë shkas pikërisht nga ajo grabitje. Gjatë hetimeve ka rezultuar i përfshirë në grupin e tyre edhe 29 vjeçari nga Borizana e Fushë-Krujës, Julian Qerushi. Ky i fundit ishte person i skeduar, pasi rezultonte i dënuar edhe më parë për vjedhje.
Njëkohësisht, hetimet për një sërë grabitjesh argjendarish kanë nxjerr edhe emrat e personave të tjerë të dyshuar si anëtar të grupit, ndaj të cilëve është lëshuar urdhër ndalimi. Mirëpo, policia gjatë tentativës për t’i arrestuar ka mundur të prangos Agustin Sulën, ditën e martë, në makinën e Julian Qerushit, ndërsa orëve të para të së djeshmes është bërë e mundur të arrestohet edhe Xaka. Policia mësohet se është përballur paraditen e së martës me Julian Qerushin në aksin Kamëz - Fushë-Krujë, në mjetin e të cilit gjendej edhe djali nga Berati, Sula. Në post-bllok, ai ka mundur t`i ikë policisë dhe t`iu besojë makinën me të gjithë, shokun dhe sendet personale.
Ai ka ikur në këmbë, për t`u arrestuar mbrëmjen e djeshme në Unazën e Re në Tiranë. Ndërkohë janë shpallur në kërkim, Dritan Kola, 36 vjeç, Saimir Kala, nga Laç, 31 vjeç, dhe Fatmir Pjetri, nga Puka, 28 vjeç. Të gjithë personat e përfshirë në grupin kriminal janë persona të dënuar për grabitje, përjashto laçjanin, Saimir Kala. Në grup mësohet se bënte pjesë edhe Miljan Elezi (Artur Tafani), djali nga Elbasani, i cili u vra gjatë grabitjes së argjendarisë në Dibër të Madhe në korrik. Ai u braktis i vdekur, ndërsa policia maqedonase arriti të identifikonte viktimën, që ishte lënë në mjetin që ishte grabitur në hyrje të Maqedonisë.
“Babagjyshët”, Policia: 3 të arrestuar, vijon puna për kapjen e 3 të tjerëve
Në datë 16.12.2014, pas një pune disa mujore, të mirorganizuar me metodat speciale të hetimit, në bashkëpunim ndërmjet Prokurorisë për Krime të Rënda, Drejtorisë për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorive të Policisë në Qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Dibër, Shkodër dhe Lezhë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “BABAGJYSHET”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur dokumentimi ligjor i disa ngjarjeve të rënda kriminale të kryera nga një grup i organizuar kriminal si dhe arrestimi i 3 prej anëtarëve të këtij grupi. Policia ka arrestuar shtetasit:
1. Agustin Sula, 25 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë me 23 vjet heqje lirie për vepren penale të vjedhjes me armë me pasojë plagosjen e dy shtetasve në Durrës si dhe i dënuar në Greqi per vjedhje me armë.
2. Hajdar Sefa (Xaka), 30 vjeç, banues në Krujë, i dënuar më parë për vepra penale ndaj jetës dhe shendetit.
3. Julian Qorushaj, 29 vjeç, lindur dhe banues në Borizanë të Fushë Krujës, i dënuar më pare për vjedhje.
(Në foto: I arrestuari Agustin Sula) FOTO
Ndërkohë një tjetër pjesëtar i grupit, Ilir Kupa, 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, është arrestuar më parë nga policia dhe aktualisht ndodhet në burg prej muajit janar të këtij viti. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Kupa ka qenë edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal.
Janë shpallur në kërkim pjestarët e tjerë të grupit kriminal dhe konkretisht:
* Fatmir Pjetri, 28 vjeç, banues në Tirane, i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.
* Dritan Kola, 36 vjeç, banues në Shkoder, i dënuar në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë.
* Saimir Kala, 31 vjeç, banues në Kurbin.
Një nga pjestarët e këtij grupi kriminal, Artur Tafani, është vrarë në muajin korrik 2014 në Dibër të Madhe gjatë grabitjes me armë të dy argjendarive.
Ky grup kriminal, gjatë viteve 2013 dhe 2014 ka kryer vjedhjet e mëposhtme:
1. Në datë 28.09.2013, rreth orës 19:10, në qytetin e Kuçovës, kanë vjedhur me armë, dyqanin-argjendari, në pronësi të shtetasit A.B.
2. Në datë 05.11.2013 rreth orës 14:30 në qendër të qytetit të Laçit, në kompleksin “Romina”, kanë vjedhur me armë argjendarinë dhe kanë plagosur pronarin e saj shtetasin S.R.
3. Në datë 25.11.2013 rreth orës 13:45, në qytetin e Fushë Krujës, kanë vjedhur me armë “Argjendari Gjino” në pronësi të shtetases P.B.
4. Në datë 18.12.2014 në Fushë Prezë kanë vjedhur me armë automjetin në pronësi të shtetasit SH.K., duke e plagosur rëndë atë.
5. Në datë 25.09.2013, në ora 19:30, në fshatin Fushë-Milot te kryqëzimi i “Kosovës”, kanë vjedhur mjetin tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A.S.
6. Vjedhjen e një mjeti tip “Audi” në Fushë- Milot.
7. Në datë 24.12.2013 rreth orës 17:30 kanë vjedhur me armë argjendari “Gelosia” në qendrën tregetare TEG.
8. Në datë 30 prill 2014 në Strugë, kanë vjedhur me armë një argjendari.
9. Në datë 29.07.2014 në Dibër të Madhe në Maqedoni kanë vjedhur me armë argjendari “Er Gold” dhe “Briljant Xhiti”.
A 1 Report ka mësuar se banda e “babagjyshëve” është përgjegjëse edhe për 4 grabitje të tjera. Këto grabitje janë organizuara nga i arrestuari më Janar 2014, Ilir Kupa. Burimet kanë thënë se banda grabiti pikën e basteve sportive të deputetit Mark Frroku. Të drejtuar nga Kupa "babagjyshët" kanë grabitur dhe një pikë skrapi në Vorë. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se banda grabiti zyrën e financës së koncesionarit të Mercedes-Benz në Tiranë.