Ky është Admir (Gjuljano) Cerpja 35 vjeçari i cili ka rrëfyer për heteusit mekanizmin e grabitjes, bashkautorët dhe vendin ku fshihnin paratë dhe si këmbim ka kërkuar statusin e të penduarit të drejtësisë.
 
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë pëlqimin e saj që Çerpja të marrë statusin e të penduarit së bashku me Fation Xhyliun, por që ky status të zyrtarizohet pritet vendimi i komisionit të posaçëm në sektorin e mbrojtjes së dëshmitarëve.
  
Çerpja do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve, ndërsa të martën Krimet e Rënda do të vendosin për Dash Kupën e arrestuarin e gjashtë nga të dyshuar si grabitës të parave të bankave të nivelit të dytë në aksin Qaf Kashar-Rinas.
 
Gjyqtari Luan Hasneziri pranoi kërkesën e akuzës për të lënë në burg të penduarin Admir Çerpja, ndërsa vetë i dyshuari kërkoi që seanca ndaj tij të zhvillohej pa praninë e mediave dhe ai të mbrohej me një avokat të caktuar nga shteti.
 
Por si u arrit në prangosjen e Çerpjes?
Emri i tij për herë të parë u përmend nga ish-komando Neim Avdulaj i cili në Afganistan kish shërbyer si ushtar së bashku me nipin e Admirit.
 
Policia mundi ta kapë Admir Çerpjen pas 3 ditësh operacion deri në lokalizimin e tij në fshatin e tij të lindjes në Dibër.
 
Deri më tani në pranga kanë rënë Fation Xhyliu, Detion Memlikaj, Ernest Kupa, Neim Avdylaj, Admir Çerpja, Dash Kupa dhe në kërkim zyrtarisht është Admir Nikaj (Murataj).
 
Për hetuesit ky grup përbëhej nga 12 persona dhe ende po punohet për lokalizimin e të dyshuarve të tjerë ku 3 prej tyre dyshohet të jenë larguar jashtë vendit pak ditë pas grabitjes së 7 shkurtit 2017.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com