Dalinin pamje të reja nga grabitja spektakolare në një bankë në Napoli, që ndodhi të enjten ku një grup personash të armatosur morën peng 25 persona dhe më pas u zhdukën pa lënë gjurmë.

Ngjarja, e raportuar një ditë më parë, po zbardhet hap pas hapi dhe po del se autorët kishin organizuar gjithçka në detaje. Sipas hetimeve, të paktën tre persona hynë nga dera kryesore e bankës, ndërsa të tjerë dolën nga kanalizimet brenda ambienteve pranë kasafortës, çka tregon për një plan të mirëkoordinuar. Dyshohet se në total mund të kenë qenë 5 deri në 6 grabitës.

Autorët, me fytyra të mbuluara si në filmat e vjetër, dyshohet se kishin ardhur me një mjet tip Alfa Romeo Giulietta të zezë. Ata mblodhën të gjithë personat brenda, klientë dhe punonjës, gjithsej 25 persona, duke i futur në një zyrë dhe duke u kërkuar të linin telefonat.

Ndërkohë, një detaj që ka habitur hetuesit është se armët e përdorura rezultuan të ishin false, megjithatë mjaftuan për të mbajtur situatën nën kontroll.

Ndërsa grabitësit punonin në kasafortë, duke hapur dhe shkatërruar dhjetëra kaseta sigurie me mjete të posaçme, jashtë bankës situata u tensionua. Qindra klientë u mblodhën për të marrë informacion për sendet dhe paratë e tyre.

Pengjet u liruan falë ndërhyrjes së zjarrfikësve, të cilët hapën një vrimë në një xham antiplumb, duke i nxjerrë jashtë në siguri. Të gjithë ishin të tronditur, ndërsa disa morën ndihmë mjekësore për shkak të shokut.

Forcat speciale të karabinierëve ndërhynë më pas dhe përdorën granata shurdhuese për të hyrë në bankë, por ishte tepër vonë. Autorët ishin zhdukur tashmë përmes të njëjtit tunel nga kishin hyrë.

Sipas dëshmive, grabitësit nuk kanë qenë agresivë, por të qetë dhe të sigurt në veprimet e tyre, duke u mbështetur te frika e pengjeve.

Shuma e grabitur mbetet ende e panjohur, pasi përmbajtja e kasetave të sigurisë dihet vetëm nga pronarët.