Inspektori i Mbrojtjes së Territorit ka nisur shembjen e një objekti të ndërtuar pa leje pranë kompleksit “Arlis”, i cili rezultoi dhe pengesë për zjarrfikëset që tentonin të futeshin në territorin e brendshëm të kompleksit për të shuar flakët që përpinë një prej pallateve disa-katëshe pak ditë më parë.

Flakët e zjarrit që ranë të martën pasdite në pallatin 12 katësh, në kompleksin “Arlis” në Tiranë, pranë QSUT-së, përpinë thuajse gjysmën e pallatit në të gjithë gjatësinë e tij.

E paqartë mbetet shkëndija e parë. Policia ka monitoruar kamerat e sigurisë, dhe në momentin që flakët shpërthejnë, pranë kartonëve, që shihen si burimi i parë i zjarrit, nuk ka njeri. Pak më herët, në zonë shihen fëmijë që luajnë, të cilët mund të kenë hedhur diçka në karton që ka shkaktuar flakët, por nuk përjashtohet edhe mundësia e hedhjes së ndonjë cigareje të pa fikur nga katet e sipërme të pallatit. Hetimi vijon, e pritet që shkaku të qartësohet.

Vetë kompania Arlis, në një reagim publik, tha se objekti është ndërtuar duke respektuar standardet e sigurisë, i certifikuar nga organet kompetente që prej vitit 2021. Sa i përket fasadës, Arlis ia faturon përgjegjësinë kompanisë kontraktore  e cila është zotuar sipas tyre për standardet e materialit

11 persona u lënduan nga flakët e zjarrit dhe asfiskia nga tymi, banorë dhe forca zjarrfikëse.