Gramsh , 4 Shkurt / ATSH - Miranda Sadiku / - Prefekti i qarkut te Elbasanit, Arben Kamami, ka mbledhur sot shtabin e emergjencave civile në qytetin e Gramshit, i cili aktualisht paraqitet në një situatë të vështirë për shkak të reshjeve të shiut rënë ditët e fundit.
Në këtë mbledhje emergjente u diskutua marrja e masave të menjëhershme me qëllim që të evitohet ndonjë incident i mundshëm dhe që të gjithë instancat të jenë në gadishmëri.
Gjatë mbledhjes u evidentuan një sërë problemesh të ndodhura në këtë qark, kryesisht në shumë zona rurale.
Nënprefektja e Gramshit, Zamira Bezati, tha se "si pasojë e reshjeve të shiut janë dëmtuar dy shkollave, ka bllokime rrugesh, nderkohe qe janë evakuuar tre familje për shkak të përmbytjes nga përroi që kalon në banesat e tyre". Sipas saj, probleme si pasojë e përmbytjeve ka edhe në komunën Kukur, ku dy ura janë shembur pjesërisht duke bërë që qarkullimi të bëhet vetëm në këmbë.
Gjithashtu, vazhdon të jetë i pakalueshëm aksi Elbasan - Gramsh si pasojë përmbytjes së urës Shushicë nga dalja e lumit nga shtrati, por që është tërësisht e kalueshme rruga tjetër që të çon në qytetin e Gramshit.
Vazhdon të jetë e pakalueshme rruga për në komunën Kushovë si pasojë e përmbytjes së urës. 11 fshatra të kësaj komune janë të bllokuar, por që fatmirësisht në të gjitha zonat që përbëjnë vështirësi ka infermierë dhe deri më tani banorët nuk kanë pasur nevoja për ushqime.
/k.m//a.ke/






