TIRANE- Një plumb në kokë i ka marrë jetën 37-vjeçarit nga fshati Tërvol i Gramshit. Viktima Përparim Duzhe, në momentin e vrasjes ka qenë duke folur në telefon në rrugën para shtëpisë së tij, kur është qëlluar me një plumb në kokë, sapo ka dalë nga banesa. Burime pranë prokurorisë dhe policisë së Elbasanit thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se i riu kishte pak ditë që ishte deportuar nga Belgjika në Shqipëri, dhe se vrasja e tij lidhet me konfliktet e vjetra që ai ka pasur me disa persona në fshatin e tij.

Për të vërtetuar këto dyshime me urdhër të prokurorisë Elbasan janë shoqëruar mbi 10 persona, ku mes të shoqëruarve janë dhe disa persona me mbiemrin Hoxha, të cilëve gjatë kontrollit të banesave, policia i ka gjetur tre armë zjarri në banesë, tip “Kallashnikov”, një pushkë karabinë dhe mbi 12 mijë fishekë. Ndërkohë që nga verifikimet e kryera, dyshimet flasin se viktima është qëlluar me pushkë karabinë me një plumb në kokë.

Konflikti në fshat
Një konflikt i çastit në një nga lokalet e fshatit është bërë shkak për ekzekutimin e 37-vjeçarit Përparim Duzhe. Ky i fundit është konfliktuar me shtetasit Selman Hoxha, Fiqiri dhe Edmond Hoxha, përkatësisht babë dhe dy djemtë. Nisur nga kjo situatë të tre së bashku dyshohet se ata kanë vendosur të eleminojnë 37-vjeçarin, ku kanë bërë planin për nxjerrjen në pritë të tij. Në momentin kur Përparim Duzhe, është telefonuar ka qenë në banesën e tij duke darkuar me njerëzit e afërt të familjes.

Pasi ka dalë në rrugë, ai është qëlluar menjëherë me një plumb në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia e Gramshit në bashkëpunim edhe me specialistë të Drejtorisë dhe prokurorisë së Elbasanit, pasi disa orë hetimi ka arritur të zbardhë autorësinë e krimit, duke arrestuar si të dyshuar të kësaj vrasje, shtetasit Selman Hoxha 63 vjeç dhe dy djemtë e tij Fiqiri Hoxha 43 vjeç dhe Edmond Hoxha 29 vjeç.

Armët e sekuestruara
Teksa prokuroria ka marrë në pyetje tre personat e arrestuar, policia e Gramshit ka kryer një kontroll në banesën e tyre,duke sekuestruar disa armë zjari. Bëhet fjalë për një arsenal armësh, pasi gjatë kontrollit janë bllokuar automatkë, pushkë karabina, mijëra fishekë dhe disa granata dhe ndezësa elektrikë. Pritet që ditën e hënë të tre personat e arrestuar të dalin para gjykatës së Elbasanit për tu njohur me masën e sigurimit të “arrestit në burg”, që prokuroria do kërkojë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 16 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)