Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim me ambasadat e Gjermanisë dhe Danimarkës në Tiranë organizuan sot një takim me fokus, mbështetjen e zonave malore.

Në takim “Mbështetje për zhvillimin e bujqësisë dhe të ekonomisë rurale të zonave malore të pafavorizuara”, u prezantuan skemat e granteve, një fond i financuar nga Gjermania përmes programit ekonomik GIZ dhe qeveria e Mbretërisë së Danimarkës.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti falenderoi mbështetjen e madhe që po i japin sektorit të bujqësisë qeveritë e Republikës së Gjermanisë dhe Mbretërisë së Danimarkës.

“Ky projekt parashikon injektimin e 6.5 milion euro në zonat e varfëra, ku ekzistojnë potenciale të mëdha, por të pashfrytëzuara” theksoi ndër të tjera Panariti. Sipas tij, këto fonde në dispozicion për t’u përdorur në sektorin e bujqësisë, do të ndikojnë në rritjen e jetesës së banorëve në këto zona si dhe pritet të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve shqiptare bujqësore.

Përmes këtij fondi, që do të shpërndahet në 6 qarqe për 1.000 fermerë, pritet që ndër përfituesit të jenë të rinj dhe gra, që kanë ide për biznese të reja në këto fusha, me qëllim, nxitjen e pjesëmarrjes së tyre në fermat bujqësore.

Ambasadori Gjerman Hellmut Hoffman gjatë prezantimit nuk ka prekur cështjen e eksodit masiv të shqiptarëve drejt Gjermanisë por theksoi se është e rëndësishme zhvillimi ekonomik i zonave rrurale. Po ashtu ai shpegoi se do të jetë më në vëmendje mbështetja e fermerëve të rinj dhe grave që drejtojnë sipërmarrje biznesi.

“Zhvillimi i zonave rurale, veçanërisht atyre të varfëra, është shumë i rëndësishëm. Mendoj se kushdo që sheh lajmet do të kuptojë që është e rëndësishme t’u japim njerëzve shpresë dhe ndjesinë se diçka pozitive po ndodh, në mënyrë që të rrijnë atje dhe të punpojnë në këto zona rurale”.- tha ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Hellmut Hoffman.

Në të njëjtën linjë ka qënë edhe ambasadori danez, Mads Sandan.

 “Do të përpiqemi të përmirësojmë performancën social-ekonomike të këtyre zonave duke ofruar kapital, ekspertizë, shërbim këshillimi, akses marketingu. Vëmendje e vecantë do ti kushtohet fermerëve të rinj dhe grave që do të kenë trajtim preferencial për shkak të sfidave specifike me të cilat përballen”. –tha Mads Sandan ambasadori i Danimarkës në Tiranë.

Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)