TIRANE - Aleanca KuqeZi denoncon asimilimin e kombit shqiptar në territorin e Maqedonisë, nëpërmjet fenomenit të “shitjes” së femrave tek burrat maqedonas duke i këmbyer me bagëti, ndërsa shton se kjo situatë do të marrë fund me largimin e Berishës nga pushteti.

Sipas një studimi të kryer nga strukturat e AK në Maqedoni, rezulton se këtë vit të jenë zyrtarizuar 112 kërkesa për martesë midis femrave nga Shqipëria nga qytete si Tirana, Shkodra, Lezha, Dibra, Kavaja, Puka e të tjera dhe meshkujve nga Maqedonia. Sipas AK problematika qëndron jo vetëm në faktin që vajzat janë të moshave të vogla, e burrat nga ana tjetër janë minimalisht mbi 40 vjeç, por me “martesën biznes” që realizohet mes tyre.

“Familjaret e vajzave shqiptare i këmbejnë ato me para por edhe bagëti me shtetasit e Maqedonisë. Këto të dhëna janë të tmerrshme kur i shton faktin se vajzat që martohen ndryshojnë kombësinë nga shqiptare në maqedonase, mësojnë maqedonisht dhe fëmijëve që vijnë nga martesat nuk i mësojnë gjuhën shqipe”, lexohet në deklaratën e AK-së.

Nga ana tjetër, Aleanca KuqeZi, apelon për “dhënien fund të eksodit të martesa me sllavët e cila po shkon drejtë asimilimit të kombit shqiptarë tashmë jo vetëm në territorin e Maqedonisë por dhe përtej tij. I duhet dhënë fund njëherë e përgjithmonë martesave mbi baza interesi nga prindërit e vajzave shqiptare me meshkujt nga Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi”.

Sipas AK, “përçmimi dhe skllavërimi i femrës shqiptare e cila këmbehet me bagëti në dyert e familjeve serbo-maqedonase do te marr fund me largimin e filo-serbit qe drejton qeverinë e Shqipërisë dhe jo të shqiptarëve. Ardhja e një shteti kuqezi pas disa muajsh do çliroj femrën në veçanti por dhe gjithë shoqërinë”, përfundon deklarata e AK-së.

(Gre.M/Shqiptarja.com)