Gratë e martuara në Kinë përballen me diskriminim në punësim

Gratë e martuara në Kinë përballen me diskriminim në punësim

Cindy Wang nuk pati menduar ndonjëherë se do të ndërtonte karrierën e saj me transmetimet e drejtpërdrejta në internet. Nëna 37-vjeçare nga qyteti kinez Suzhou kishte dikur një punë premtuese në industrinë e shitjeve, ku ajo punoi për mbi 10 vjet.

Sidoqoftë, që kur humbi punën tek një kompani sportive ndërkombëtare për arsye të pashpjeguara në muajin shkurt, ajo është vështirësuar të gjejë një punë me kohë të plotë në një prej rajonet më të pasura të Kinës.

“Gjatë intervistave, menaxherët pyesnin se sa fëmijë kam dhe nëse mund të gjeja një balancë mes punës dhe familjes”, i tha zonja Wang Zërit të Amerikës gjatë një interviste me telefon. “Çdo herë që u them se jam e martuar dhe kam një fëmijë, menaxherët menjëherë vënë në pikëpyetje nëse mund të angazhohem me orar të zgjatur, si të gjithë të tjerët në kompani”.

Eksperienca e zonjës Wang nuk është unike. Amy Su, një projektuese 35-vjeçare me mbi një dekadë eksperiencë në Pekin, nuk ka mundur të gjejë një punë me kohë të plotë në fushën e saj, që kur u rikthye në shkurt në qytetin e saj të lindjes Chongqing.

“Menaxherët shpesh mendojnë se gratë me fëmijë nuk do të jenë në gjendje të angazhohen me gjithë zemër në punë, dhe mendojnë se gratë mbi 35 vjeç nuk do të jenë në gjendje të përballojnë presionin e jashtëzakonshëm në punë”, i tha zonja Su Zërit të Amerikës gjatë një interviste me telefon.

“Disa menaxherë ma kanë thënë madje haptazi se do të donin të punësonin të sapodiplomuar, pasi ata kanë më shumë potencial, ndërsa, nga pikëpamja e tyre, grave mbi 35 vjeç shpesh u mungon imagjinata”, shtoi ajo.

Kohëra të vështira

Eksperiencat e zonjës Wang dhe zonjës Su nxjerrin në pah disa nga sfidat e vazhdueshme me të cilat përballen gratë e martuara në tregun e tanishëm të punës, që është bërë edhe më sfidues pas pandemisë dhe ndërsa po ngadalësohet ekonomia kineze.

Gjatë muajve të fundit, diskriminimi dhe punësimi janë bërë një temë e nxehtë në Kinë. Disa media shtetërore kanë botuar artikuj për sfidat me të cilat përballen gratë. Në platformën kineze të mediave Xiaohongshu, që i ngjason Instagramit, kërkimet me frazat “gra të martuara me fëmijë”, “diskriminim” dhe “në kërkim të punës”, japin dhjetëra rezultate për gra kineze dhe eksperiencat e tyre.

Në mars, një anketim i bërë nga Zhaopin, një nga platformat më të mëdha kineze për rekrutimin në internet, zbuloi se 61.1% e grave ishin pyetur gjatë intervistave të punës për martesën dhe për planet për të patur fëmijë. Gjithashtu, 51.1% e grave thanë se mosha është një faktor që do të ndikojë perspektivën e karrierës së tyre.

Autoritetet kineze anulluan politikën në fuqi prej dekadash që kufizonte shumicën e familjeve me lindjen e vetëm një fëmije dhe vendosën në vitin 2016 një politikë me dy fëmijë. Disa gra thonë se që nga ajo kohë pyetjet për statusin e tyre dhe planet për fëmijë janë bërë të zakonshme gjatë intervistave, thuhet në një raport të qarkulluar në vitin 2021 nga organizata e të drejtave të njeriut Human Rights Watch.

Raporti gjithashtu zbuloi se disa punëdhënës vendosin ndëshkime, si gjoba, për punonjëset që mbeten shtatëzana. Në raste të tjera, kompanitë mund ta bëjnë mjedisin e punës aq të vështirë, sa punonjëset shtatëzana mund të detyrohen të japin dorëheqjen.

Megjithëse ligjet në Kinë ndalojnë diskriminimin në punësim në lidhje me gjininë dhe shtatëzaninë, ekspertët thonë se këto ligje ofrojnë vetëm mekanizma minimale për zbatimin, duke ua lejuar kështu kompanive që të vazhdojnë të injorojnë detyrimet e përcaktuara.

“Edhe nëse kompanitë shkelin politika dhe rregullore të caktuara, nuk do të përballen me pasoja”, i tha me telefon Zërit të Amerikës në një intervistë Yaqiu Wang, drejtuese e punës studimore për Kinën, Hong Kongun dhe Tajvanin në organizatën Freedom House. Zonja Wang e ka ndjekur temën nga afër që kur Kina anulloi në vitin 2016 politikën e saj për vetëm një fëmijë për familje.

“Disa kompani nuk duan të punësojnë gra, sepse do të marrin ndoshta lejen e lindjes, ndërkohë që biznese të tjera besojnë se pasi gratë bëhen nëna, nuk mund të përqëndrohen tek puna e tyre, gjë që sjell një hezitim të përgjithshëm për të punësuar gra apo për t’i promovuar ato në vendet e punës”, tha zonja Wang.

Mbështetje e pakët

Ditën që u shkarkua, zonja Wang tha se specialisti i burimeve njerëzore tek ish-kompania e saj solli me vete dy roje sigurie dhe një jurist, për ta informuar se kishin ndërprerë në mënyrë të njëanshme kontratën e saj të punësimit, për shkak të sjelljes së saj.

“Më kërkuan të firmos letrën e daljes nga puna, pa ndonjë hetim apo evidencë, dhe duket se donin të më shtrëngonin të largohesha vetë që atë ditë”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Vendosa ta çoja çështjen në arbitrazh, por e humba pasi punëdhënësi ishte përgatitur më mirë”.

Pasi kërkoi punë pa sukses për disa muaj, zonja Wang vendosi t’i bashkohet industrisë së transmetimit të drejtpërdrejtë nëpërmjet internetit dhe u bë drejtuese e një emisioni që shet tekste për mësimin e gjuhëve për fëmijët. “Duke qenë se drejtoja kurse përgatitore për kompaninë time të mëparshme, mendoj se jam mirë me komunikimin dhe ndërveprimin, kështu që vendosa të bëj këtë punë”, shpjegoi zonja Wang.

Të ardhurat e saj vijnë sidoqoftë vetëm nga përqindjet e shitjeve dhe asaj i duhet t’i ndajë fitimet me pronarin. “Nuk ka të ardhura të garantuara dhe zakonisht jam në transmetim tre orë në ditë”, tha ajo. “Ndonjëherë nuk arrij të shes asgjë, dhe ndonjëherë mund të shes pesë grupe vëllimesh”.

Ndërkaq, zonja Su në Chongqing po shqyrton mundësinë që të fillojë biznesin e saj të vogël.

“Më duket se do të më duhet të heq dorë nga të gjitha eksperiencat e mia si projektuese dhe t’i them ‘po’ çfarëdo mundësie punësimi që mund të më dalë përpara”, i tha ajo Zërit të Amerikës. “Është një problem me të cilin përballen të gjitha gratë kineze kur kalojnë moshën 35 vjeç”.

Diskriminimi një “çështje e dorës së dytë”

Ndërsa autoritetet kineze vazhdojnë të ndryshojnë legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të grave, zonja Wang nga organizata Freedom House, thotë se mungesa e lirisë së shprehjes në Kinë e bën të vështirë për qeverinë të dëgjojë ankesat e grave kineze.

“Duke qenë se Kina nuk është demokraci, nuk ekziston një kanal për gratë kineze që të informojnë qeverinë për ankesat e tyre”, i tha ajo Zërit të Amerikës. Dhe duke qenë se diskriminimi ndaj grave nuk shkakton paqëndrueshmëri të regjimit, nuk ekziston një ndjesi urgjence nga pikëpamja e Pekinit për ta trajtuar këtë problem të hershëm, shtoi zonja Wang.

“Për Partinë Komuniste kineze, objektivi më i rëndësishëm është të mbajë pushtetin në Kinë, dhe të drejtat e grave shikohen si çështje dytësore”, tha ajo.

Pa ndonjë zgjidhje të qëndrueshme në horizont për këtë problem të vazhdueshëm dhe ndërsa situata ekonomike e Kinës vijon të dobësohet, zonja Wang dhe zonja Su ndjehen pesimiste për perspektivën e karrierave të tyre. “Ndjehem konfuze dhe e përhumbur, dhe ka edhe njerëz të tjerë përreth të moshës time që po shprehin pikëpamje pesimiste për perspektivën e karrierës së tyre”, tha zonja Wang duke marrë frymë thellë.

Ajo shton se tashmë që Kina po shqyrton mundësinë e rritjes së moshës së pensionit në 65 vjeç, ajo e ka të vështirë të thotë se çfarë pune do të bënte edhe për dy dekada të tjera. Ajo nuk mendon se mund të mbijetojë kaq gjatë në treg duke bërë transmetime në internet./VOA

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë