Gratë janë më të izoluara dhe kryejnë pjesën më të madhe të punëve në ngastra apo në shtëpi, ndërsa burrat janë më të prirur për të menaxhuar aktivetet që lëvrojnë paranë dhe të angazhohen në marrëdhënie me tregtarët dhe palët e treta.

Ky është një nga gjetjet e studimit, “Situata e gruas dhe diversifikimi ekonomik në zonat rurale të Shqipërisë”, realizuar nga organizata “Partnerë në Zgjidhje dhe Zhvillim” dhe që do të prezantohet nesër në bashkpunim me ministrinë e Bujqësisë dhe UN Women.

Studimi nxjerr në pah një pjesëmarrje shumë të ulët të grave dhe vajzave në tregun e punës dhe programet e trajnimit, kjo për shkak të kohës së papërshtatshme, distancës dhe mënyrës se si organizohen programet e trajnimit.

Gjithashtu, gratë në zonat rurale kanë akses të ulët ndaj mbështetjes financiare të shtetit ose nga donatorët. Shifrat zyrtare tregojnë se numri i grave përfituese është 5 herë më i ulët se burrat.

Sipas studimit, mungesa e rrjeteve dhe advokimit të grupeve të grave dhe zotërimi i kanaleve të informacionit nga burrat kanë ulur aksesin e grave ndaj mbështetjes financiare.

Studimi rekomandon se nevojitet zgjerim i shërbimeve të posaçme si mbështetje financiare, këshillim ligjor dhe rritje kapacitetesh sipërmarrëse për të arritur fuqizim ekonomik të grave dhe lehtësim i pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje duke i përfshirë ato si fermere e jo si “gra të fermerëve”.

Ndërsa, proceset me pjesëmarrje janë të nevojshme për të krijuar antena sociale për të përçuar informacionin tek gratë dhe vajzat në nivel lokal.

Redaksia Online
(m.b/shqiptarja.com)