Qyteti i Dritave ka një problem me plehrat. Grevat masive në Paris kundër reformës së pensioneve këtë javë po prekin shërbimet e grumbullimit të plehrave në kryeqytetin francez, me grumbuj mbeturinash të lëna në shumë nga rrugët piktoreske të qytetit, duke përfshirë ato pak hapa larg monumenteve si Kulla Eifel dhe Harku i Triumfit.
Që nga e shtuna, rreth 4,400 ton plehra ishin në pritje të grumbullimit. Zëdhënësja e zyrës së kryebashkiakut të qytetit tha se problemi është bllokimi i inceneratorëve të plehrave të shkaktuar nga grevat. Kështu kamionët e plehrave nuk kanë qenë në gjendje të mbledhin mbeturinat në pjesën më të madhe të qytetit, sepse nuk kanë ku t'i vendosin.
Jo të gjitha lagjet janë prekur në mënyrë të barabartë. Qeveria bashkiake është përgjegjëse për mbledhjen e plehrave në gjysmën e 20 zonave të Parisit. Për 10 të tjerat janë përgjegjës kontraktorët privatë.
Shërbimet komunale si grumbullimi i plehrave në Paris janë prekur që nga e marta, kur grevat shkaktuan anulimin e trenave dhe fluturimeve, bllikimin e rafinerive të naftës, mbylljen e shkollave dhe mijëra persona pa energji elektrike.
Kryeqyteti francez ishte më i prekuri, me gati 60% të mësuesve të shkollave fillore që dolën jashtë dhe metroja lokale u detyrua të ndërpresë shërbimin për të gjithë qytetarët.
Protestat masive janë organizuar rregullisht në të gjithë Francën që nga 19 janari, me më shumë se një milion njerëz që dolën të shumtë në rrugë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj planit të qeverisë për të rritur moshën zyrtare të daljes në pension për shumicën e punëtorëve, si pjesë e reformave në sistemin e pensioneve të qeverisë.
Qeveria e presidentit Emmanuel Macron thotë se ndryshimet janë të nevojshme për ta bërë sistemin financiarisht të qëndrueshëm.
Grumbullimi i plehrave në Paris ka shkaktuar shqetësime shëndetësore mes parisienëve dhe politikanëve vendas. Kryetari i qarkut të 17-të, Geoffroy Boulard, tha në një intervistë me degën e CNN BFMTV se ai i ka kërkuar kryebashkiakut të Parisit Anne Hidalgo të punësojë një ofrues privat shërbimi për të ndërhyrë.