Ish i dërguari Special i Donald Trump, Richard Grenell, për dialogun Kosovë-Serbi ka goditur sërish kryetarin e Vetëvendosjes Albin Kurti.

Grenell ka shkruar se Albin Kurti ka qenë kundër çdo presidenti amerikan dhe kundër çdo administrate dhe se ai sërish do të jetë anti-Amerikë dhe kundër presidentit aktual Joe Biden.

“Albin Kurti ka qenë kundër Bill Clinton në Rambuje. Kurti ishte kundër George Bush në Vjenë. Kurti ishte kundër Barack Obamës dhe Joe Biden për demarkacionin. Kurti ishte kundër Donald Trumpit për Normalizimin Ekonomik. Ai do të jetë sërish kundër Joe Biden. Ai është me të vërtetë kundër Amerikës”, ka shkruar Grenell .

Ditën e djeshme Grenell e ka quajtur Kurtin “majtist anti-amerikan”, që sipas tij ka qenë kundër Administratës dhe politikës amerikane ndër vite.

“ Lideri i ri i Kosovës majtisti anti-amerikan, Albin Kurti, ka qenë kundër politikës së SHBA-së që është sugjeruar nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai gjithmonë është anti-amerikan”, ka theksuar Grenell.

Ish-emisari ka ftuar administratën e Joe Biden që ta ndalojë Kurtin.