GREQI - Me popullaritetin në ulje e sipër pas vrasjes së një reperi antifashist prej një militanti të saj, partia neonaziste greke "Agimi i Artë" po humbet shumë shpejt mbështetjen e pjesës më të madhe të grekëve, 68 për qind e të cilëve u shprehën se operacionet e ndërmarra nga qeveria ishin më tepër se të domosdoshme dhe se partia ishte një organizatë kriminale. 

Sipas një sondazhi të faqes së internetit 'rizopoulospost.com', rezulton se që prej operacionit policor të fundjavës së shkuar "Agimi i Artë" ka humbur pothuajse gjysmën e mbështetësve duke kaluar në 8,5 për qind nga 14.5 për qind të mbështetjes popullore që gëzonte në korrik dhe 68 për qind e grekëve e konsiderojnë tashmë një organizatë kriminale.

Me gjithë rënien e popullaritetit, në sondazhet zgjedhore "Agimi i Artë" është para partisë socialiste PASOK që gëzon vetëm 7 për qind të mbështetjes popullore në krahasim me 44 për qind në vitin 2009, kur kreu i partisë Jorgos Papandreu u bë kryeministri. 

Dy vendet e para në sondazhe me alternim të vazhdueshëm mbahen nga partia e qendrës së djathtë e kryeministrit Samaras, Demokracia e Re me 22,8 për qind, dhe partia e majtë radikale SYRIZA e Alexis Tsipras me 21,9 për qind.


Marrë nga ATSH
Redaksia online
(v.gj/shqiptarja.com)