ATHINË, 4 shkurt /ATSH-MIA/ - Lideri i Grekëve të Pavarur (ANEL) partneri më i vogël i koalicionit në qeverinë greke, Panos Kamenos deklaroi se 13 deputetët e partisë së tij nuk do ta mbështesin projektligjin me anë të të cilit fëmijëve të emigrantëve do t'u jepet shtetësia greke.
"Deputetët e ANEL-it nuk janë dele. Ata do të votojnë sipas vetëdijes dhe dispozitave të Kushtetutës", tha Kamenos.
Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e SYRIZA-s në pushtet deklaruan se koalicioni nuk do të thotë se duhet pasur marrëveshje për gjithçka, por respektimin e demokracisë.
Sipas tyre, ligjin me siguri do ta mbështesin disa deputetë të opozitës.
Zëvendësministrja greke për Politikat Emigruese, Tasia Hristodholopulu para disa ditëve përsëriti premtimin parazgjedhor të SYRIZA-s se të gjithë fëmijëve të emigrantëve të cilët kanë lindur dhe janë rritur në Greqi do t'u jepet nënshtetësia greke.
Ajo shtoi se shtetësi do të marrin të gjithë fëmijët, madje edhe ata të cilët nuk janë lindur në Greqi, por kanë shkuar shumë të vegjël atje./ a.jor.










