ATHINË, 5 shkurt /ATSH-ANA-MPA/ - Banka Qendrore Evropiane (BQE) ka ndërprerë financimin e bankave greke, ndërkohë që këto të fundit t'i marrin likuiditetet vetëm nga Mekanizmi i Emergjencës i Bankës së Greqisë.
Bordi i BQE vendosi dje në mbrëmje vonë që të mos pranojë bondet greke si garanci për ofrimin e likuiditeteve ndaj institucioneve bankare të Greqisë.
Qevria greke sqaron se ky vendim nuk influencon situatën e bankave greke.
"Nevojat për likuiditete të bankave greke do të mbulohen nga Banka e Greqisë në kuadër të rregullave të eurosistemit", tha BQE-ja.
Vendimi do të vihet në zbatim më 11 shkurt, pasi që nga ajo datë e në vazhdim, bondet shtetëtore greke nuk do të pranohen si garanci nga BQE.
Presidenti i BQE-së, Mario Draghi zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me kryeministrin Aleksis Cipras për ta informuar rreth vendimit të BQE.
Sipas burimeve qeveritare, Draghi garantoi se vendimi nuk influencon sistemin financiar të Greqisë, pasi situata me likuiditete rinovohet përmes mekanizmit ELA.
Ndaj vendimit të BQE ka reaguar Ministria greke e Financave, që thekson se vendimi nuk pasqyron në asnjë mënyrë zhvillime negative për sistemin financiar të vendit dhe ministria vlerëson se me këtë lëvizje BQE ushtron presion mbi Eurogrupin që të avancojë me shpejtësi në hartimin e një marrëveshjeje të re midis Greqisë dhe partnerëve.
"Ky vendim nuk pasqyron në asnjë mënyrë zhvillime negative në sektorin financiar të vendit dhe vjen pas dy ditësh të stabilizimit esencial të këtij sistemi. Sipas vetë BQE, sistemi bankar grek mbetet mjaftueshëm i kapitalizuar dhe plotësisht i mbrojtur përmes aksesit në mekanizmin ELA", thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ministrisë greke të Financave./ a.jor.










