Janinë- Një shqiptar i dënuar për trafik droge është arratisur nga burgu në Greqi, teksa kishte marrë leje njëjavore nga autoritetet dhe nuk është kthyer më.
Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në vendin fqinj, teksa 35-vjeçari, emri i të cilit nuk u bë i ditur, u shpall në kërkim për akuzën e largimit nga vendi i qëndrimit.
Administrata e Burgut “Agios Stefanos” i kishte dhënë leje, por nuk ishte rikthyer më pas skadimit të afatit.
Shqiptari ndodhej që prej vitit 2019 në qeli, bazuar në një vendim të Gjykatës së Apelit të Janinës, e cila e kishte dënuar me 15 vite e 6 muaj burg dhe u gjobit me 50 mijë euro gjobë nën akuzë për trafik droge.
Tashmë ndaj 35-vjeçarit është ngritur një çështje tjetër nga Departamenti i Sigurisë së Akaisë Perëndimore, për shkelje të lejes së burgut, shkruan “ProtoThema”. Kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e tij po vijojnë ende.