ATHINE - Lideri i Agimit të Artë, i mbiquajtur "Fyhrer", Nikos Mihaloliakos është arrestuar sot në mëngjes për akuzën e krijimit të organizatës kriminale.

Me 56-vjeçarin, Nikos Mihaloliakos, në pranga u vunë dhe 4 deputetë të tjerë, mes tyre dhe zëdhënësi dhe deputeti i Agimit të Artë, Ilias Kassidiairis, si dhe 11 anëtarë të tjerë të partisë nën akuzën e pjesëmarrjes në organizatë kriminale.

Ndërsa numri dy i organizatës, i cili emërtohet kreu i grupit parlamentar, Kristos Pappas, iende po i shpëton arrestimit dhe është shpallur person në kërkim.

Prokuroria e Gjykatës së Lartë ka firmosur urdhër-arreste për të paktën 15 deputetë të partisë neonaziste, por dhe dhjetëra anëtarë të partisë, e cila ka 18 deputetë në parlament, të cilët në orët e pasdites janë shoqëruar në gjykatë në masa të rrepta sigurie.

agimi i arte
(Në foto: Lideri i "Agimit të Artë", Nikos Mihaloliakos, gjatë shoqërimit sot pasdite në gjykatë).

Gjithsej janë lëshuar 38 urdhër-arreste për anëtarët dhe funksionarë të lartë të kësaj partie. Brenda ditës janë arrestuar edhe policë dhe oficerë policie, të cilët vërtetohet se kanë lidhje me "Agimin e Artë".
 
Mes të arrestuarve është dhe një polic i skuadrës DIAS për pjesëmarrje në "Agimin e Artë", ndërkohë që kërkohen dhe dy policë të tjerë të cilët akuzohen dhe si pjesëmarrës të "Agimit të Artë", por dhe për vdekjen e 5 emigrantëve.

Arrestimet vijnë pas vrasjes së këngëtarit anti racist, Pavlos Fyssas, më 18 shtator.

Pas thirrjes për protesta nga Agimi i Artë, rreth 250 neonazistë janë vendosur para zyrave të Drejtorisë Qendrore të Policisë në sheshin "Leoforu Aleksandrus", ku ndodhen të arrestuarit. Neonazistët paralajmerojnë protesta në mbarë Greqinë në mbështetje të kryetarit të tyre dhe deputetëve të arrestuar.

Në shtëpinë e liderit të "Agimit të Artë" u gjenden armë të padeklaruara, sikundër edhe në banesat e personave të arrestuar, deputetë apo anëtarë të Agimit të Artë.
agimi i arte
(Në foto: Nga dërgimi i eksponentëve të "Agimit të Artë" sot pasdite në gjykatë).

NDERPRITEN FINANCIMET
Qeveria e kryeministrit Samaras urdhëron ndërprerjen e financimeve të "Agimit të Artë". Përveç akuzës për krijim të organizatës kriminale,  Agimi i Artë do të hetohet edhe për evazion fiskal, shfrytëzim të emigrantëve, por edhe gjobëvëni të sipërmarrësve të ndryshëm

PROKURORI: KEMI PROVA PËR VRASJE, PASTRIM PARASH, RREZIKOJNË BURGIM TË PËRJETSHËM
Pesë deputetët e partisë neonaziste Agimi i Artë që u arrestuan mëngjesin e të shtunës në Greqi, do të përballen me akuza mjaft të rënda, që po të vërtetohen do të mund t'u kushtojnë edhe burgim të përjetshëm. Prokurorët grekë vazhdojnë të mbledhin prova për arrestimin e ligjvënësve të partisë.

Prokurori i Gjykatës së Lartë Haralambos Vourliotis, i cili është duke mbikqyrur Partinë Neonaziste pas vrasjes së javës së kaluar të reperit Pavlos Fyssas disponon regjistrime telefonike dhe të tjera dëshmi tjetër që provojnë se deputetët ishin të përfshirë në veprimtari kriminale.

Ka edhe dëshmi të tjera, përfshirë dëshmi nga ish- anëtarë të partisë, që dëftojnë se partia ka pasur një zinxhir të qartë komande, ç’ka do t’i ndihmojë prokurorët të provojnë se kjo ishte një bandë kriminale e organizuar.

Raporti i prokurorisë, mbi të cilin u mbështetën akuzat, është relativisht lakonik, vetëm 9 faqe. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, provat kanë të bëjnë me dhjetë raste vrasjesh apo vrasjesh të mbetura në tentativë, mes të cilave edhe vrasja e këngëtarit Pavlos Fyssas, më 18 shtator 2013, që shërbeu si pikënisje për gjithë zhvillimet e rrufeshme.

agimi i arte
(Në foto: Nga dërgimi i eksponentëve të "Agimit të Artë" sot pasdite në gjykatë).

Sipas raportit të prokurorisë, Agimi i Artë ka kryer edhe vepra të tjera penale, si pastrim parash të pista apo mitmarrje.

"Të gjithë besojmë se procesi duhet të përshpejtohet në mënyrë që ne të kemi rezultate sa më shpejt dhe se ky rast serioz nuk do të zvarritet ",- tha ministri i Drejtësisë, Haralambos Athanasiou .

Agimi i Artë, i cili ka pësuar një rënie në sondazhet popullore, ditët e fundit, dje dorëzoi një padi kundër PASOK-ut duke akuzuar socialistët se kanë keqmenaxhuar fondet shtetërore në vitet 2007 - 2010.

"Ne kemi dorëzuar një dosje që do të bëjë që PASOK-u të përfundojë në burg," tha dje deputeti neofashist Kristos Papas , i cili ishte një prej katër deputetëve të partisë që kishte shkuar të premten në Gjykatën e Lartë për ta këtë qëllim.

agimi i arte
(Në foto: Nga dërgimi i eksponentëve të "Agimit të Artë" sot pasdite në gjykatë).

Redaksia Online
(arsh/sg/mag/shqiptarja.com)