GREQI- Dy shqiptarë janë arratisur nga burgu i Koridallosit në Athinë, ku edhe po kryenin dënimin për vjedhje.
Sipas mediave greke bëhet fjalë për dy vëllezërit shqiptarë: Elvis dhe Leonard Pepa, të cilët prenë hekurat e qelisë, dolën në oborr dhe kapërcyen lehtësisht gardhin rrethues të burgut.
Leonard Pepa
Elvis Pepa
Nga vëshgimet brenda ambjenteve të burgut, është gjetur një litar i sajuar nga disa rripa çantash. Litarit i kishin bashkangjitur një gur, të cilin e kishin "ngecur" tek llampa e burgut ngjitur me murin. Ky veprim, ua ka bërë më të thjeshtë shqiptarëve për të ngjitur gardhin rrethues dhe për t'u arratisur.
Litari i përdorur nga shqiptarët për t'u arratisur
Sipas mediave greke, arratisja e shqiptarëve është filmuar e gjitha nga kamerat e sigurisë të burgut. Ajo ka ndodhur gjatë orës 20:30 mbrëmjen e djeshme, por mungesa e dy shqiptarëve u vu re vetëm gjatë numërimit, proces i cili bëhet çdo mëngjes në burgje.
Për të bërë të mundur kapjen e tyre policia greke ka nisur një grup kërkimi, i cili po kontrollon zonën. Ndërkohë që kanë nisur hetimet për kapjen e personave përgjegjës brenda burgut që lejuan arratisjen e shqiptarëve.