ATHINË - Në bulevardin “Irakliu 420” në Athinë, vend i cili ndodhet pranë zyrave të partisë neonaziste të Agimit të Artë, pasditen e së premtes (1 nentor 2013) janë ekzekutuar dy persona, të cilët janë anëtarë të kësaj partie neonaziste.

Informacionet bëjnë të ditur se dy persona, të cilët ishin në një autoveturë tip “Honda Varadero” dhe ishin të maskuar me kaska, kanë ekzekutuar gjakftohtësisht dy persona 27 dhe 22 vjeç, të cilët bëhet e ditur se ishin anëtarë të Agimit të Artë.

Mendohet se ekzekutorët kishin një grup mbështetës në prapavijë. Dy të vdekurit, Fountoylis George, i lindur në vitin 1986, dhe Manolis Kapelonis, i lindur në vitin 1991, u transferua në spitalin "Shën Olga". Sipas mjekëve ata kanë marrë plagë në kokë. Ndërkaq, i plagosuri i tretë, Aleksander Elder, është dërguar në spitalin “J. Genimatas", ku është nënshtruar një operacioni. Zona në fjalë është rrethuar nga forca të shumta policie ndërkohë që në orën e ngjarjes zyrat e Agimit të Artë ishin të mbyllura.

Rreth orës 20:40 minuta policia greke mësohet se ka gjetur një makinë të braktisur, ashtu siç ishte përshkruar nga dëshmitarët, makina e atentatit. Ministri i Brendshëm, Nikos Dendias, i ka raportuar kryeministrit në lidhje me ngjarjen. Hetimi është marrë në dorë nga sektori i anti terrorizmit në Policinë e Athinës.
 
Në vendin e ngjarjes, janë mbledhur shumë mbështetës të Agimit të Artë si dhe deputetë të kësaj force politike. Ndërkaq që partia Agimi i Artë ka dalë në një deklaratë ku shkruhej se, nga sulmi kanë vdekur dy anëtarë të saj, ndërsa ngjarja mund të kishte përfunduar në një tragjedi.

(Në foto: Policia greke në vendin e ngjarjes)
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)