ATHINË - Tre deputetë të "Agimit të Artë" në Greqi janë dënuar një ditë më parë nga Gjykata e Apelit në Athinë, dhe janë dërguar në paraburgim.

Siç raportohet, rreth mbrëmjes së djeshme gjykata ka dhënë vendimin për dy deputetët Jorgo Gjermeni dhe Panajot Iliopulo, ndërsa disa orë më vonë është dhënë vendimi edhe për deputetin tjetër, Stathi Boukura.

Të tre deputetët janë vënë në pranga në 28 shtator 2013 për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Sipas gazetës greke “Kathimerini”, deputeti Gjermeni ka dhënë dëshmi për 7 orë në gjykatën e Apelit, ndërsa Iliopulo për 5 orë.

Pas marrjes së vendimit, ata janë shoqëruar për në qelitë e paraburgimit. Ata sot do të dërgohen në burgun e Koridhalos.

Ndërkaq, gjatë kësaj kohe përpara gjykatës ka pasur një tubim nga anëtarët e "Agimit të Artë". Pas këtyre seancave, kanë reaguar edhe avokatët e të pandehurve të cilët kanë deklaruar se, klientët e tyre janë të pafajshëm.

Të tre deputetët kanë kaluar orët e së dielës në Drejtorinë e Policisë në Athinë, ndërsa ditën e sotme do të dërgohen në burgun e Koridhalos.
 
Redaksia online
(e.s/ac/shqiptarja.com)