Tre persona, mes tyre edhe një shqiptar janë arrestuar nga policia greke, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin lëndë narkotike.

Sipas mediave greke, operacioni i arrestimit u bë në pjesë të ndryshme të Athinës, si pjesë e një hetimi mbi përfshirjen e një bande kriminale që trafikonte drogë në kryeqytetin helen.

Nga hetimet rezulton se grupi kriminal qarkullonte që prej tetorit 2019. Sa i takon metodologjisë së trafikut, anëtarët e grupit kriminal blinin lëndën narkotike, e transportonin dhe më pas e ruanin në zonat e Kolonos dhe Peristerit dhe prej aty bëhej shpërndarja.

Pas kontrolleve në pesë banesa, policia sekuestroi doza kokaine dhe disa lloje të tjera droge, 8 peshore elektronike dhe 22 860 euro.

Të arrestuarit u dërguan në Prokurorinë Publike të Athinës.